Themelohet Kolegjiumi për Siguri dhe Emergjencë i AKK-së, Fushtica zgjidhet kryetar
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, ka themeluar Kolegjiumin për Siguri dhe Emergjencë, një mekanizëm i ri që synon forcimin e bashkëpunimit ndërkomunal dhe avancimin e kapaciteteve lokale në fushën e menaxhimit të emergjencave.
Sipas njoftimit të AKK-së, kolegjiumi është krijuar për të shërbyer si platformë profesionale për koordinim institucional, shkëmbim të përvojave dhe promovim të praktikave më të mira në mbrojtjen civile dhe menaxhimin e situatave emergjente.
Në takimin themelues u vlerësua se krijimi i këtij mekanizmi përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe adresimit të sfidave të përbashkëta në fushën e sigurisë dhe emergjencave.
Iniciativa për themelimin e Kolegjiumit u prezantua nga drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, i cili theksoi rëndësinë e krijimit të një strukture profesionale që do të mundësojë koordinim dhe shkëmbim të praktikave ndërmjet komunave.
Gjatë prezantimit u theksua se komunat po përballen me sfida gjithnjë e më komplekse që lidhen me fatkeqësitë natyrore, ndryshimet klimatike dhe sigurinë publike, ndërsa forcimi i sistemeve lokale të menaxhimit të emergjencave konsiderohet një element kyç i qeverisjes moderne lokale.
Në takim u diskutuan edhe prioritetet e komunave, duke përfshirë përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional, hartimin e planeve të emergjencave, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe krijimin e mekanizmave më efektivë për reagim ndaj situatave emergjente.
Po ashtu, u zgjodh edhe udhëheqja e Kolegjiumit. Lulzim Fushtica, drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, u zgjodh kryesues i Kolegjiumit, ndërsa Fitore Behrami, drejtoreshë e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Mitrovicës së Jugut, u zgjodh zëvendëskryesuese.
Sipas AKK-së, Kolegjiumi për Siguri dhe Emergjencë do të funksionojë si platformë për koordinim ndërmjet komunave, shkëmbim të njohurive dhe përvojave profesionale, si dhe hartimin e rekomandimeve që synojnë përmirësimin e menaxhimit të emergjencave dhe forcimin e rolit të pushtetit lokal në mbrojtjen e qytetarëve. /Telegrafi/


