Tahiri: Albin Kurti po nxit gjuhë përçarëse ndaj Sami Lushtakut dhe vlerave të UÇK-së
Ish-deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Arian Tahiri, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe eksponentë të Lëvizja Vetëvendosje për përdorim të gjuhës përçarëse dhe ofenduese ndaj figurave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke komentuar përplasjet e fundit politike me Sami Lushtakun.
Në “Përballje Podcast”, Tahiri tha se sipas tij, Kurti dhe njerëzit e tij politikë kanë krijuar një klimë të tensionuar në shoqëri përmes gjuhës fyese ndaj kundërshtarëve politikë dhe figurave të UÇK-së.
“Albin Kurti dhe eksponentët e tij në vazhdimësi kanë përdorë gjuhë ofenduese ndaj kundërshtarëve politikë”, deklaroi Tahiri shkruan Telegrafi.
Ai tha se kjo frymë po ndikon negativisht në diskursin publik dhe po prodhon përçarje të vazhdueshme në shoqëri
“Kjo logjikë, kjo klimë, që është e sponsorizume, e shtyme prej tyne… është duke e kontaminu këtë vend”, u shpreh ai.
Duke folur për debatet dhe tensionet e fundit që përfshinë Sami Lushtakun, Tahiri mbrojti figurën e tij, duke e cilësuar si një nga komandantët e rëndësishëm të luftës në Drenicë.
“Sami Lushtaku ka qenë komandant i suksesshëm i Zonës Operative të Drenicës, një burrë që me krejt qenien e vet ka bërë maksimum për lirinë”, deklaroi Tahiri.
Sipas tij, sulmet dhe gjuha denigruese ndaj figurave të luftës nuk duhet të normalizohen në politikën kosovare.
“Duhet me u krenu me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duhet me u krenu me dëshmorët e kombit, duhet me u krenu me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.
Tahiri tha se klima aktuale politike ka sjellë degradim të debatit publik, me ofendime dhe linçime të vazhdueshme
“Ka ofendime, ka sharje, ka linçime pa baza, akuza e kundërakuza… është një frymë që s’ka qenë në traditën tonë politike”, deklaroi ai shkruan Telegrafi.
Ai kërkoi reagim më të madh institucional dhe shoqëror ndaj gjuhës së urrejtjes në politikë.
“Duhet me alarmu gjithë… kjo kulturë e keqe duhet me marrë fund”, tha Tahiri./Telegrafi/.


