Please enter at least 3 characters.

Shpërthim në fabrikën e armëve në Tula të Rusisë, dy të vdekur

Një shpërthim i fuqishëm i ndjekur nga një zjarr ka ndodhur në fabrikën e armëve dhe municioneve “A+A” në qytetin Tula të Rusisë, duke shkaktuar vdekjen e dy punëtorëve.

Autoritetet lokale raportojnë se shpërthimi u pasua nga një zjarr i madh në ambientet e fabrikës, ndërsa operacionet e zjarrfikësve u ndërprenë përkohësisht për shkak të shpërthimeve të përsëritura brenda objektit.

Ekipet e emergjencës u vendosën në vendngjarje, por ndërhyrja u vështirësua nga rreziku i vazhdueshëm i detonimeve sekondare në zonën e prekur.

Deri më tani, nuk dihen shkaqet e shpërthimit, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e incidentit.

Fabrika “A+A” prodhon armë dhe municione, por ende nuk ka një njoftim zyrtar nga drejtuesit e saj lidhur me ngjarjen.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022. /Telegrafi/