Shpërthen motori i një skafi në Himarë, pësojnë djegie 4 persona
Katër persona kanë pësuar djegie në trup si pasojë e një shpërthimi të ndodhur mbrëmjen e sotme në Porto Palermo, Himarë, ku dyshohet se një rrjedhje benzine ka shkaktuar përfshirjen në flakë të motorit të një skafi.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20, në momentin kur personat po punonin për riparimin e motorit. Në rrethana ende të paqarta, motori është përfshirë nga flakët dhe më pas ka ndodhur shpërthimi, duke shkaktuar dëmtime tek katër persona që ndodheshin pranë mjetit.
Të lënduar kanë mbetur M.M., 25 vjeç, A.D., 18 vjeç, X.I., 40 vjeç dhe A.Q., 38 vjeç. Dy prej tyre kanë pësuar djegie të shumta në pjesë të ndryshme të trupit dhe, për shkak të gjendjes së rëndë, janë nisur drejt Tiranës për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar.
Dy personat e tjerë raportohet se kanë pësuar dëmtime më të lehta dhe ndodhen në gjendje më të stabilizuar.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e incidentit kanë mbërritur shërbimet përkatëse, të cilat kanë dhënë ndihmën e parë dhe kanë bërë të mundur transportimin e të dëmtuarve për në spital.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë: “Rreth orës 19:20, në Qendrën Shëndetësore Himarë janë paraqitur për ndihmë mjekësore 4 shtetas me djegie në pjesë të ndryshme të trupit. Nga verifikimet paraprake dyshohet se, gjatë riparimit të motorit të një skafi në Porto Palermo, shtetasit XH.I, 40 vjeç, A.O, 38 vjeç, M.M, 25 vjeç, A.D, 18 vjeç, kanë pësuar djegie si pasojë e rënies në kontakt me lëndën djegëse benzinë. Të dëmtuarit janë transportuar në Spitalin Rajonal Vlorë, për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon verifikimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”/RTSH


