Please enter at least 3 characters.

Shoqata “Handicap Kosova” siguron hapësira të reja pas 25 vjetësh punë

Pas më shumë se dy dekadash punë të pandërprerë në mbështetje të personave me paralizë cerebrale, Shoqata “Handicap Kosova” do të ketë për herë të parë hapësirat e saj të dedikuara për zhvillimin e aktiviteteve, ofrimin e shërbimeve dhe trajtimin profesional të fëmijëve dhe të rriturve me aftësi të kufizuara.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se ky është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të punës për organizatat që ofrojnë shërbime sociale dhe drejt ndërtimit të një kryeqyteti më gjithëpërfshirës, raporton Telegrafi.

“Ky është shembull i bashkëpunimit të mirëfilltë institucional dhe human, që përkon me vizionin tonë për një Prishtinë pa barriera, ku secili qytetar ka mundësi të barabarta dhe trajtohet me respekt”, ka deklaruar Rama.



Shoqata “Handicap Kosova” është një ndër organizatat më të vjetra në vend që ofron kujdes, terapi dhe mbështetje psikosociale për fëmijët me paralizë cerebrale dhe familjet e tyre. Prej 25 vjetësh, kjo shoqatë ka operuar në kushte të kufizuara, duke u mbështetur kryesisht në vullnetarë dhe donacione, por gjithmonë ka qenë aktive në promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Përmes mbështetjes së Komunës së Prishtinës, tani organizata do të ketë një hapësirë të dedikuar moderne dhe funksionale, e cila do të mundësojë zhvillimin e programeve terapeutike, trajnimeve profesionale dhe aktiviteteve që ndihmojnë në integrimin social dhe fuqizimin e personave me aftësi të kufizuara.

Kryetari Rama theksoi se komuna mbetet e përkushtuar të mbështesë nisma të tilla që forcojnë përfshirjen dhe barazinë shoqërore.

“Prishtina është shtëpia e të gjithëve — pa pengesa dhe pa barriera", shtoi ai, duke ftuar edhe organizata të tjera të bashkëpunojnë në krijimin e një mjedisi të aksesueshëm dhe dinjitoz për çdo qytetar./Telegrafi/