Sejdiu: Nuk pranojmë kurrfarë negociatash të reja me Beogradin
Në takim morën pjesë edhe kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Presidenti Sejdiu duke shprehur gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për bashkëpunim në këtë periudhë të rëndësishme të ecjes së Kosovës, tha se i kishin shprehur z. Zannier vizionin për bashkëpunimin më të mirë të mundshëm në kuadër të mandatit për të zhvilluar dhe lëvizur Kosovën si shtet sovran dhe i pavarur.
Gjithashtu, Presidenti Sejdiu theksoi se qasje e veçantë e institucioneve të Kosovës është për të qenë një shtet demokratik, i cili do të përmbushë pritjet dhe interesat e të gjithë qytetarëve të vet.
“Pozicioni ynë i palëkundshëm është që të kemi relacione të mira me shtetet fqinje, pra edhe me Serbinë nesër, dhe po ashtu në ecjen tonë për integrime euroatlantike, duke çmuar rolin që OKB-ja ka pasur në Kosovë dhe që do të ketë edhe në këtë pjesë të tranzicionit të lehtë për të pasur pjesën efektive të misionit të ri ndërkombëtar të EULEX-it dhe të ICO-së, për aq kohë sa do të jetë prezenca dhe do te kenë edhe në këtë pjesë të tranzicionit”, tha Presidenti Sejdiu.
Ndërsa, përfaqësuesi i Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, z. Lamberto Zannier theksoi: “Kjo ishte vizita ime njohëse te Presidenti dhe Kryeministri. Besoj se ishte kontakti i parë i suksesshëm. Ne kemi ndarë vizione se si bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe UNMIK-ut duhet të zhvillohet".
Ai theksoi të kenë shkëmbyer mendime të rëndësishme lidhur me situata të ndryshme në terren.
“Ne kemi shikuar fushat kryesore të angazhimit në të cilat do të përfshihemi po ashtu ristrukturimi i mekanizmave të operimit të Kombeve të Bashkuara. Ne u pajtuam se është një rol i dobishëm, të cilin UNMIK-u dhe Kombet e Bashkuara mund të luajnë në të ardhmen në Kosovë dhe ne do të diskutojmë së bashku evoluimin e këtij roli në terren”.
Ai ka theksuar se roli i tij do të jetë mjaft pragmatik dhe se nuk dëshiron të paraqesë synime ambicioze tash për tash.
"Do të kemi një qasje të afërt dhe pragmatike me të gjithë", tha ai, duke shtuar se UNMIK-u do të rishqyrtojë të gjitha fushat e operimit të tij në Kosovë në bazë të udhëzimeve të marra nga Nju-Jorku.
Një element i rëndësishëm, ka shtuar ai, do të jetë vazhdimi i afërt me komunitetin ndërkombëtar dhe aktorët e komunitetit ndërkombëtar, në veçanti me misionin e EULEX-it.
"Tash do të shikoj se si ndërveprimi i UNMIK-ut me EULEX-in do të mund të maksimalizohet", tha ai.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje për mundësinë e negociatave me Serbinë, Presidenti Sejdiu tha se Kosova nuk do te pranojë asnjë proces me negociata me Beogradin lidhur me çështjen e statusit.
“Është një proces që ka përfunduar dhe i njohur nderkombëtarisht, çështja e dytë është se ne kemi thënë se kemi nevojë për komunikim me Beogradin si shtetet fqinje edhe për disa çështje praktike që lidhën më projektin e Ahtisaarit. Ne dëshirojmë që në këtë kuadër te ketë rol pacifikues edhe misioni ndërkombëtarë por nuk do te thotë që ne të pranojmë tendencat e Beogradit, qoftë në imponimin e punëve të brendshme të Kosovës, apo ne imponimin legjislacionit te Beogradit etj.
Kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi tha se Institucionet edhe Qeveria e Kosovës përshëndet punën Organizatës së Kombeve të Bashkuara, natyrisht që edhe zoti Zannier do te luaj rolin e tij në përputhshmëri më realitetin, një rol që do te jetë në mbështetje te Institucioneve te Kosovës , kështu që do te kemi një bashkëpunim të ngushtë.


