Please enter at least 3 characters.

Saranda Bogujevci mirëpret ekipin e filmit “Dua” pas suksesit në Festivalin e Filmit në Kanë

Foto: Facebook

Ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka mirëpritur ditën e sotme (e martë) ekipin e filmit “Dua”, pas suksesit në Festivalin e Filmit në Kanë.

Siç thekson në postimin e shpërndarë në Facebook, Bogujevci ka përgëzuar regjisoren Blerta Basholli për arritjen e madhe për kinematografinë e Kosovës.

Ajo tutje shton se është krenare për sukseset që aktorët shqiptarë tashmë kanë arritur në festivalet e famshme botërore.

Postimi i plotë i Bogujevcit (pa ndërhyrje):

“Me shumë kënaqësi prita sot në kabinet ekipin e filmit “Dua”, pas suksesit të jashtëzakonshëm në Festivalin e Kanës, ku filmi u nderua me çmimin “SACD” në kuadër të “Semaine de la Critique”.

I përgëzova regjisoren Blerta Basholli dhe gjithë ekipin për këtë arritje të rëndësishme për kinemanë tonë.

Ky vlerësim, i ndarë nga Shoqata e Autorëve dhe Kompozitorëve Dramaturgjikë në Francë, dëshmon edhe një herë fuqinë krijuese dhe nivelin artistik që po arrijnë filmbërësit tanë në botë.

“Dua” është sukses i merituar që na bën krenarë të gjithëve dhe një tjetër dëshmi se kinemaja jonë po vazhdon të zërë vend të rëndësishëm në festivalet më prestigjioze të botës”./Telegrafi/