Rruga “Sokoli” në Plemetin do të asfaltohet, parashihet edhe ndërtimi i kanalizimit
Komuna e Obiliqit ka njoftuar se kryetari Halil Thaçi ka pritur në takim ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, me të cilin kanë diskutuar për projektet që janë duke u realizuar dhe ato që planifikohen të zbatohen në këtë komunë.
Sipas njoftimit të komunës, gjatë takimit është nënshkruar edhe një Memorandum Bashkëpunimi për realizimin e një projekti infrastrukturor në rrugën “Sokoli” në fshatin Plemetin.
Memorandumi parasheh asfaltimin e pesë segmenteve të rrugës dhe ndërtimin e kanalizimit.
Kryetari Thaçi ka falënderuar ministrin Rashiq për bashkëpunimin dhe mbështetjen përmes këtij memorandumi, duke vlerësuar se projekti do të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës për banorët e Plemetinit.
Ndërkaq, ministri Rashiq, sipas komunës, e ka përgëzuar kryetarin Thaçi për punën dhe angazhimin në zhvillimin e Komunës së Obiliqit, duke vlerësuar përkushtimin në përmirësimin e shërbimeve dhe mirëqenies së qytetarëve. /Telegrafi/


