Rezultatet dhe renditja në Superligën e Kosovës: Drita prek titullin, Maliasheva drejt Evropës, Llapi ringjallet, Ferizaj në telashe
Janë mbyllur të gjitha ndeshjet e javës së 32-të në Superligën e Kosovës, ku nuk munguan befasitë, pasi mysafirët regjistruan katër fitore, ndërsa vendasit nuk morën asnjë.
Drita fitoi ndaj Prishtinës së Re, me golin e shënuar nga pika e bardhë, ku i saktë ishte Besnik Krasniqi.
Malisheva e mposhti në fund Prishtinën, me golin e shënuar nga Altin Aliu, fitore që e afron skuadrën e Bylbyl Sokolit me Evropën.
Gjilani dhe Ferizaj barazuan 1-1 në një ndeshje me shumë vendime të VAR-it. Senad Jaroviq shënoi për Gjilanin, ndërsa Benato Bekima Claudee e mbajti në garë për mbijetesë Ferizajn me golin e barazimit.
Fitore mori edhe Drenica, që mposhti Dukagjinin si mysafire, me një gol të vonë të Fjoart Jonuzit.
Llapi regjistroi një nga fitoret më të rëndësishme të edicionit, duke mposhtur Ballkanin me golin e Arbnor Ramadanit.
Renditja, Drita drejt titullit, Malisheva drejt Evropës
Kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund, ku secila pikë ka vlerë, ndërsa klubet po luftojnë për objektiva.
Drita tani është shumë pranë titullit. Ekipi nga Gjilani kryeson me 63 pikë, tetë më shumë se Ballkani i vendit të dytë (55), i cili pas humbjes nga Llapi e ka vështirësuar ndjeshëm misionin për të kthyer trofeun.
Në vendin e tretë është Malisheva me 52 pikë, duke e forcuar pozitën për garat evropiane, ndërsa Prishtina dhe Gjilani janë në ndjekje me nga 45 pikë, duke e mbajtur të hapur garën për pozitat e kreut.
Në mesin e tabelës, Dukagjini dhe Drenica kanë nga 41 pikë, duke marrë frymë më lirë në luftën për mbijetesë, por tani Llapi po ju vjen nga pas.
Llapi ka arritur të ngjitet në vendin e tetë me 39 pikë dhe e ka rritur shpresën për t’u larguar nga zona e barazhit.
Ferizaj mbetet i parafundit me 34 pikë dhe vazhdon të jetë në rrezik serioz, ndërsa Prishtina e Re është e fundit me 28 pikë, me pak gjasa për mbijetesë.
Me vetëm katër xhiro të mbetura, çdo pikë pritet të jetë vendimtare si në garën për titull, ashtu edhe në betejën për mbijetesë. /Telegrafi/


