Revizion zbulon parregullsi në Klinikën për Kirurgji Torakale, u konstatuan dobësi në furnizime dhe menaxhimin e rezervave
Një revizion i realizuar nga Drejtoria Shtetërore e Revizionit ka zbuluar një sërë parregullsish në punën financiare dhe organizative të Klinikës Universitare për Kirurgji Torakale dhe Vaskulare për vitin 2024.
Ndër gjetjet kryesore janë kontrolli i dobët i rezervave, mangësi në zbatimin e prokurimeve publike, probleme me arkëtimin e borxheve dhe mungesë e një sistemi të rregullt për menaxhimin e barnave dhe materialeve mjekësore.
Sipas revizorëve, në Klinikë nuk është bërë regjistrim i rregullt dhe në kohë i shpenzimit të barnave dhe materialeve mjekësore, ndërsa disa furnizime janë bërë edhe para nënshkrimit të kontratave, për të mos u ndërprerë shërbimet shëndetësore. Gjithashtu, nuk është formuar farmaci spitalore, e cila sipas rregullave duhet të menaxhojë barnat dhe materialet mjekësore.
Raporti evidenton edhe parregullsi në procedurat e prokurimeve publike, si dhe borxhe të papaguara që janë më të vjetra se tre vjet. Një pjesë e rëndësishme e revizionit lidhet me ngarkesën e madhe të Klinikës, ku 66% e vizitave janë realizuar me urgjencë ose pa termin të caktuar përmes sistemit “Termini im”, gjë që sipas raportit ndikon në organizimin dhe efikasitetin e punës.


