Rasti i gjyqtarit Llabani, Haxhiu: Patëm dërguar kërkesë në Kushtetuese për shkarkimin e tij, por thoshin se ‘po ndërhyjmë në pavarësinë e tyre’
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar sot pasi një ditë më parë presidentja Vjosa Osmani ka tërhequr kërkesën në Kushtetuese për seancën konstituive për shkak të gjyqtarit serb, Radomir Llaban pasi sipas saj paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.
Haxhiu në një postim në Facebook shkruan se i kishin drejtuar një kërkesë zyrtare ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, duke kërkuar fillimin e procedurave për shkarkimin e tij.
Sipas Haxhiu në vend që të merrej parasysh kërkesa e tyre, kishin pranuar një përgjigje zyrtare në të cilën thuhej se kërkesa e tyre përbënte “ndërhyrje në pavarësinë e tyre”.
Lexoni të plotë postimin e ministres në detyrë:
Kur në vitin 2018, ish-Presidenti Thaçi kishte injoruar thirrjet tona për të mos e dekretuar Radomir Llabanin si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të së kaluarës së tij kriminale dhe duke pasur parasysh që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese shkarkohen nga Presidenti por paraprakisht me propozimin e 2/3 të gjyqtarëve të kësaj gjykate dhe jo nga ndonjë organ tjetër, ne i kishim drejtuar një kërkesë zyrtare ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, duke kërkuar fillimin e procedurave për shkarkimin e tij.
Megjithatë, në vend që të merrej parasysh kjo kërkesë, ne kishim pranuar një përgjigje zyrtare në të cilën thuhej se kërkesa jonë përbënte “ndërhyrje në pavarësinë e tyre”. /Telegrafi/


