Ramosaj: “MjaltFest 2026” do të shndërrohet në traditë për Deçanin
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka bërë të ditur se në Deçan është organizuar për herë të parë “MjaltFest 2026”, Festivali i Mjaltit dhe Trashëgimisë Kulturore, duke e cilësuar aktivitetin si një ngjarje që promovon vlerat lokale, traditën dhe bletarinë.
Përmes një postimi në Facebook, Ramosaj tha se festivali mblodhi bletarë, prodhues vendorë, artizanë dhe qytetarë, duke krijuar një hapësirë për promovimin e produkteve dhe trashëgimisë kulturore.
“Për herë të parë në Deçan u organizua me sukses ‘MjaltFest 2026’, Festivali i Mjaltit dhe Trashëgimisë Kulturore. Sot Deçani u bë vendtakim i bletarëve, prodhuesve vendorë, artizanëve dhe qytetarëve, në një aktivitet që promovoi vlerat tona, traditën, kulturën dhe rëndësinë e bletarisë për zhvillimin ekonomik lokal”, ka shkruar Ramosaj.
Ai falënderoi organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit që kontribuuan në realizimin e festivalit, duke shprehur bindjen se kjo ngjarje do të vazhdojë të organizohet edhe në të ardhmen.
“Falënderoj OJQ ‘Bjordi’, shoqatat e bletarëve, Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik, ekspozuesit, pjesëmarrësit dhe të gjithë ata që kontribuuan në organizimin e këtij festivali, i cili besoj se do të shndërrohet në një traditë të bukur për komunën tonë”, ka deklaruar kryetari i Deçanit.
Në fund, Ramosaj uroi të gjithë pjesëmarrësit dhe i ftoi ata të marrin pjesë edhe në edicionet e ardhshme të festivalit.
“Urime të gjithë pjesëmarrësve dhe mirë u takofshim në edicionet e ardhshme të MjaltFest!”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/


