Please enter at least 3 characters.

Qytetari nga Shtimja gjen portofolin me mbi 2 mijë e 600 euro dhe e dorëzon në polici

Një akt human dhe shembullor është shënuar të hënën mbrëma në Shtime, kur një qytetar ka gjetur një portofol me dokumente personale dhe para të gatshme në fshatin Belincë, duke e dorëzuar menjëherë në stacionin policor.

Policia ka bërë të ditur se bëhet fjalë për qytetarin S. Brahimi, i cili rreth orës 19:50 ka hasur portofolin dhe pa hezitim e ka dërguar në polici.

Pas verifikimeve, u konstatua se portofoli i përkiste qytetarit Sh.R nga Ferizaj. Ky i fundit u kontaktua nga policia dhe erdhi në stacion për ta marrë pronën e tij.

Në portofol gjendeshin dokumente personale si dhe para në vlerë prej 2468.40 euro, 102 dollarë amerikanë, 30 franga zvicerane dhe 10 paund britanikë, të cilat iu kthyen pronarit me procesverbal.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj shpreh mirënjohje për qytetarin S. Brahimi, duke e vlerësuar këtë gjest si një akt human dhe shembullor, që pasqyron standarde të larta të integritetit dhe përgjegjësisë qytetare”, thuhet në njoftimin e policisë.