Please enter at least 3 characters.

Qumështorja Vita i reagon ministrit Muja: Në analizat e qumështit Vita nuk është gjetur vaj palme

Qumështorja Vita ka reaguar pas deklarimeve të institucioneve lidhur me kontrollet dhe analizat e produkteve të saj, duke pretenduar se ndaj kompanisë është zhvilluar një fushatë politike dhe duke kërkuar që rezultatet laboratorike të bëhen publike.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, kompania ka thënë se deklaratat e fundit nuk kanë ndryshuar qëndrimin e saj dhe se rezultatet e analizave, sipas saj, dëshmojnë se në mostrat e qumështit të VITA-s nuk është gjetur vaj palme.

“Edhe sot propaganda politike kundër VITA-s dështoi, faktet folën!”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Sipas VITA-s, gjatë konferencës së sotme është konfirmuar nga ministri se në analizat e qumështit të kompanisë nuk është konstatuar prani e vajit të palmës.

“Sot, vetë Ministri konfirmoi se në analizat e qumështit VITA nuk është gjetur vaj palme. Pikërisht këtë kemi kërkuar që nga dita e parë: publikoni analizat dhe lërini qytetarët ta shohin të vërtetën”, thuhet në reagim.

Kompania ka thënë se për këtë arsye ka publikuar analizat që, sipas saj, janë dërguar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, duke kërkuar që qytetarët t’i shqyrtojnë vetë rezultatet.

“Prandaj, edhe një herë, më poshtë po i publikojmë analizat zyrtare të dërguara nga AUV, në mënyrë që secili qytetar t’i shohë vetë rezultatet”, ka deklaruar VITA.

Qumështorja ka kundërshtuar gjithashtu mënyrën se si është trajtuar publikisht rasti, duke pretenduar se fokusi i deklarimeve të ministrit ka qenë kryesisht te kompania.

“Nuk është turp të thuhet e vërteta. Edhe sot u pa qartë se fokusi i Ministrit ishte tërësisht vetëm te Qumështorja VITA”, thuhet në reagim.

Kompania ka thënë se nuk do të heshtë ndaj asaj që e konsideron dëmtim të imazhit të saj dhe të produkteve të qumështit që, sipas saj, vijnë nga fermerët e Kosovës.

“Ne nuk do të heshtim përballë dëmtimit të një brendi vendor dhe të qumështit që vjen nga fermerët e Kosovës”, ka deklaruar VITA.

Në përfundim të reagimit, kompania ka insistuar se dokumentet dhe rezultatet laboratorike duhet të jenë baza për vlerësimin e rastit.

“Dokumentet janë publike. Faktet flasin vetë”, thuhet në reagim.

Reagimi i VITA-s vjen pasi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar më herët për masa ndaj produkteve të Qumështores VITA, pas kontrolleve zyrtare dhe rezultateve laboratorike. Sipas AUV-së, disa produkte të paraqitura dhe të tregtuara si produkte me përmbajtje shtazore janë konstatuar jokonforme për shkak të pranisë së vajit të palmës, qumështit pluhur dhe/ose niseshtes së padeklaruar.

Ndërkaq, sipas njoftimit të AUV-së, nga produktet e qumështit të analizuara, një markë ka rezultuar pa prani të vajit të palmës dhe qumështit pluhur dhe nuk është cilësuar jokonforme, por është vendosur nën mbikëqyrje të shtuar dhe ritestim të vazhdueshëm për shkak se prodhohet në të njëjtin objekt dhe në linjën e prodhimit ku janë konstatuar mospërputhje. /Telegrafi/