Please enter at least 3 characters.

Punime pa leje në Qendrën Historike të Prizrenit? EC Ma Ndryshe kërkon zbatim të ligjit dhe përgjegjësi institucionale

Organizata EC Ma Ndryshe ka ngritur shqetësime lidhur me punimet e zhvilluara në një objekt hotelier brenda Qendrës Historike të Prizrenit, duke pretenduar se ndërhyrjet kanë nisur pa pëlqimet dhe lejet e kërkuara me ligj.

Sipas dokumenteve publike të siguruara nga kjo organizatë, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) në Prizren kishte njoftuar institucionet kompetente që më 18 maj 2026, pas konstatimit se në objekt po zhvilloheshin punime në fasadë dhe ishin vendosur reklama pa autorizim.

Në shkresën zyrtare, QRTK kishte kërkuar nga Drejtoria e Inspektoratit të Komunës së Prizrenit ndërmarrjen e masave ligjore për rastin.

Megjithatë, sipas EC Ma Ndryshe, vetëm më 10 korrik 2026 Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor ia ka përcjellë QRTK-së kërkesën e njërit prej investitorëve për pëlqim lidhur me renovimin e tarracës dhe ndërhyrje të tjera.

QRTK-ja më pas, më 15 korrik 2026, ka miratuar kërkesën për këto ndërhyrje të caktuara, duke vendosur kushte për realizimin e punimeve dhe duke kërkuar largimin e konstruksionit metalik të vendosur pa pëlqim paraprak. Ndërsa leja përkatëse nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor është lëshuar më 17 korrik 2026.

EC Ma Ndryshe vlerëson se dokumentet tregojnë se punimet kanë nisur para pajisjes me pëlqimet dhe lejet e nevojshme, ndërsa institucionet ishin vënë në dijeni për situatën që nga muaji maj.

“Kjo situatë dëshmon edhe njëherë nevojën për zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e Qendrës Historike të Prizrenit dhe forcimin e mekanizmave mbikëqyrës”, ka deklaruar EC Ma Ndryshe.

Organizata ka kërkuar nga institucionet kompetente që të sigurojnë zbatim të barabartë të ligjit, duke mos lejuar ndërhyrje në zonat e mbrojtura pa procedurat dhe pëlqimet e përcaktuara. /Telegrafi/