Please enter at least 3 characters.

Pse stabiliteti i Iranit është bërë çështja numër një për Ankaranë?

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Turqisë (MGK) mbajti të mërkurën një mbledhje të kryesuar nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, në të cilën u shqyrtuan çështje kyçe rajonale dhe globale, me fokus të veçantë te Irani, Siria dhe Gaza.

Në deklaratën e publikuar pas mbledhjes, Këshilli theksoi se stabiliteti dhe paqja në Iran janë me rëndësi jetike për sigurinë më të gjerë rajonale. Gjatë takimit u analizuan zhvillimet politike, ushtarake dhe ekonomike të vitit 2025, si dhe u përcaktuan hapat strategjikë dhe masat që Turqia do të ndërmarrë në vitin 2026 për të ruajtur sigurinë kombëtare.

Këshilli riafirmoi mbështetjen e palëkundur për përpjekjet e Sirisë në ruajtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe unitetit politik. Theks i veçantë iu kushtua krizës humanitare në Palestinë.

Anëtarët e Këshillit u informuan për operacionet e suksesshme kundër organizatave terroriste si PKK/KCK-PYD/YPG, FETÖ dhe ISIS, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij.

Gjithashtu, u theksua mbështetja për sovranitetin dhe integritetin territorial të Somalisë. Ankaraja bëri të ditur se do të vazhdojë të përmbushë “detyrimet vëllazërore” në mbështetje të luftës së popullit somalez kundër terrorizmit.

U diskutua edhe situata aktuale e luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Këshilli u bëri thirrje të gjitha palëve për veprim të përgjegjshëm, në mënyrë që pasojat e konfliktit të mos rrezikojnë stabilitetin në rajonin e Detit të Zi.

“Turqia do të vazhdojë të investojë përpjekje për t’i dhënë fund luftës që rrit rreziqet globale dhe do të punojë për përcaktimin e shpejtë të kushteve për një paqe të qëndrueshme”, thuhet në deklaratë.

Në përfundim theksohet se Turqia do të vazhdojë edhe në vitin 2026 diplomacinë multidimensionale, me qëllim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në zonat e krizës, nga fqinjësia e afërt deri në Azi, Afrikë dhe Evropë.

Ky mesazh i Këshillit turk vjen në kulmin e tensioneve më të mëdha mes Uashingtonit dhe Teheranit në vitet e fundit. Ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëron ndërhyrje ushtarake dhe dërgon flotën detare drejt brigjeve iraniane, shefi i diplomacisë turke, Hakan Fidan, paralajmëron se një sulm ndaj Iranit do të ishte “një gabim katastrofal”.

Fidan u ka thënë së fundmi partnerëve amerikanë se Irani nuk duhet të bëhet “Venezuela e re”, duke theksuar se Ankaraja nuk do të qëndrojë duarkryq ndaj përpjekjeve për destabilizimin e fqinjit të saj të drejtpërdrejtë.

Pak më vonë, shefi i diplomacisë turke përsëriti se një konflikt i ri me Iranin do të ishte një gabim i madh, duke theksuar se Teherani është i gatshëm të rikthehet në negociatat për programin bërthamor. /Telegrafi/