Pse burrat papritur po sillen kaq keq?
Në librin e tij të ri, The Castle [Kështjella], Jon Ronsoni viziton kështjellën e çuditshme të një milioneri - dhe zbulon një botë zemërimi dhe narcizmi mashkullor.
Nga: James Walton / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Një mëngjes të vitit 2023, Jon Ronsoni u zgjua në shtëpinë e tij në Veri të shtetit të Nju-Jorkut dhe zbuloi një varg mesazhesh shqetësuese nga i biri, Joeli, të cilat përshkruanin “një situatë të rrezikshme në të cilën ishte gjendur një natë më parë”. Joeli, i cili ishte në të njëzetat, kishte shkuar me një grup miqsh në një “festë në kështjellë” në Konektikat, ku njëri prej grupit, një promotor i jetës së natës, ishte ftuar përmes internetit.
Kur mbërritën, kështjella sigurisht që ishte ashtu siç ishte reklamuar - megjithatë, sipas Joelit, nuk kishte asnjë festë. Në vend të kësaj, tha ai, pronari multimilioner, Christopher Mark, pretendoi se po realizonte një spektakël për Netflix të quajtur 101 Princesses [101 princesha]. Joeli tha se vajzave të grupit më pas iu kërkua të visheshin me rroba të përshtatshme mbretërore dhe të puthnin njëra-tjetrën përpara se, sipas pretendimit të tij, të nxiteshin të puthnin Markun.
Për shumë prindër mund të kishte qenë burim shqetësimi - dhe, për të qenë të drejtë, kështu ishte edhe për Ronsonin. Por, ishte gjithashtu burim entuziazmi, sepse ai kuptoi se kishte një histori të re të llojit që i pëlqen më shumë: “Të udhëtosh nëpër botë të errëta për të kuptuar pse njerëzit sillen në mënyra kaq të pakuptueshme”.
Kjo mënyrë veprimi e ka çuar më parë Ronsonin të hetojë ekstremistët islamikë, teoricienët e konspiracionit dhe një grup oficerësh të ushtrisë amerikane të cilët kërkonin të shfrytëzonin të gjithë spektrin e potencialit njerëzor për të kaluar përmes mureve dhe, për ndonjë arsye, për të vrarë dhia duke i ngulur sytë mbi to. Natyrisht, pra, kur u përball me këtë milioner atje lart në kështjellën e tij pseudo-mesjetare, Ronsoni hipi në makinë dhe u nis drejt Lindjes.
Sipas Ronsonit, i cili thotë se i ka regjistrimet si dëshmi, në takimin e tyre të parë Marku nuk bëri shumë përpjekje për ta fshehur dëshirën e tij për t’u bërë Hugh Hefneri i ri - dhe, madje kishte “disa gra të reja që silleshin vërdallë” nëpër kështjellë. Megjithatë, disa ditë më vonë, Ronsoni thotë se milioneri dukej se ishte penduar për çiltërsinë e tij dhe i dërgoi mesazhe në të cilat, sipas Ronsonit, Marku e kërcënonte me veprime ligjore nëse do të vazhdonte me historinë. Ronsoni pretendon gjithashtu se Marku i tha se do të “të dërgoj disa nga miqtë e mi që kanë qenë në burg për vrasjen e dikujt”.
Përsëri, shumë prej nesh mund të ishin alarmuar nga kjo, por për Ronsonin ishte një konfirmim emocionues se kishte rënë në gjurmë të diçkaje. Dhe, kështu, me hetimin këmbëngulës karakteristik për të, ai gjurmoi gra të tjera të reja që ishin joshur drejt kështjellës së Markut me premtime për jetën e një princeshe - përfshirë njërën që më vonë shkroi në Twitter se “po ndodhin ca pisllëqe të çuditshme e të ngatërruara”.
Se sa e çuditshme është e gjithë kjo, është një çështje të cilën Ronsoni e heton gjatë pjesës tjetër të Kështjellës. Por, këtë e bën vetëm herë pas here: ai e ndërpret rregullisht historinë e Markut për të shqyrtuar se çfarë thotë ajo për burrat në përgjithësi. Dhe, pikërisht këtu libri ngatërrohet disi, sepse një fantazues multimilioner, planet e të cilit për kështjellën që ka ndërtuar vetë shkojnë nga bordelloja te vendi për dasma, nga një Airbnb te një strehë për koleksionin më të madh në botë të kafshëve të rrezikuara, padyshim që nuk është e lehtë të shndërrohet në një emblemë gjithëpërfshirëse të maskulinitetit bashkëkohor.
Ronsoni bën çmos për t’ia dalë, duke argumentuar se, ashtu siç epoka e stilit të jetesës së Hefnerit ka marrë fund, po ashtu kanë marrë fund edhe shumë prej elementeve që u jepnin burrave një qëllim - veçanërisht puna dhe vlerësimi i virtyteve mashkullore të shkollës së vjetër. Megjithatë, sa më shumë mësojmë për Markun, aq më shumë ai duket tepër sui generis - ose, më mirë, i lajthitur - për të qenë tipik për çfarëdo gjëje. Në fakt, herë pas here historia e Markut bëhet disi pengesë për materialin më interesant rreth “burrave që po shpërbëhen” në nëntitull. (Është edhe fakti se thelbi i historisë nuk del shumë i ndryshëm nga ajo që duket në sipërfaqe.)
Pa dyshim, ideja se burrat janë në krizë nuk është e re. Në librin e tij të fundit, So You’ve Been Publicly Shamed [Pra, je turpëruar publikisht] - botuar 11 vjet më parë - Ronsoni ishte ndër njerëzit e parë që identifikuan ngritjen e kulturës së anulimit. Këtu ai mbërrin shumë më vonë: nocioni i “maskulinitetit toksik” tashmë është i kudondodhur. Megjithatë, ai i mbledh provat, gjen shembuj rrëqethës dhe ofron komente të matura me gjithë mjeshtërinë e tij të zakonshme stilistike.
Në vitin 2019, na tregon ai, Shoqata Amerikane e Psikologjisë e shpalli “maskulinitetin tradicional” si “në përgjithësi, të dëmshëm”. Ajo ofroi gjithashtu një udhëzues të dobishëm për “tiparet e dëmshme maskuline”, ndër të cilat stoicizmi, arritja, aventura dhe rreziku. Atëherë, çfarë duhet të bëjnë burrat? Një alternativë - siç propozoi Brené Brown, profesoreshë në Universitetin e Hjustonit, në atë që është bërë një nga TEDx Talks-et më të shikuara të të gjitha kohërave - është të tregojnë cenueshmërinë e tyre. Fatkeqësisht, dy vjet pas mbajtjes së ligjëratës, hulumtimet e mëtejshme të Brownit zbuluan se kur burrat e tregojnë cenueshmërinë e tyre, “shumica e grave nuk e durojnë dot. Dhe, burrat e shohin vështrimin në sytë tanë kur po mendojmë: Bëhu burrë”.
Në përgjigje të këtij pështjellimi, argumenton Ronsoni, shumë burra kanë përvetësuar një qasje “atëherë, dreqi e marrtë” dhe kanë zgjedhur të “bëhen burra” në mënyrat më të shfrenuara. Andrew Gold, jutuberi [YouTuber] britanik, për shembull, nuk po arrinte askund derisa mësoi nga një kurs në internet se çelësi i suksesit ishte t’ua siguronte ndjekësve të tij armiqtë kundër të cilëve ai dhe ata mund të bashkoheshin. Vetëm kur videot e tij kaluan nga “Prezantuesja e parë e verbër e BBC-së dhe qeni i saj i dashur” (473 shikime) te “Islami i frikshëm po rekruton ‘idiotë të dobishëm’ të zgjimit [woke]” (607 mijë), ai filloi të fitonte para. “Gjëja më e keqe nga të gjitha”, i thotë ai Ronsonit, “është se as që e kam me të vërtetë”.
Dhe, pastaj, është rasti i pazakontë i Graham Linehanit. Dikur ai kishte qenë mik i mirë i Ronsonit. Por, kjo ishte përpara se Ronsoni të sugjeronte se sulmet e egra të Linehanit ndaj njerëzve që nuk i përkrahnin pikëpamjet e tij kritike ndaj gjinisë, ose që nuk i shprehnin ato me zë mjaftueshëm të lartë, përbënin mujsharje [bulizim]. Pas kësaj, “u hapën portat e ferrit në internet”, ndërsa Linehani e drejtoi egërsinë e tij të shfrenuar në Twitter kundër mikut të vjetër. “Gjatë viteve të para”, shkruan Ronsoni, “shpresoja se, po të heshtja, Grahami do të ndalonte. Por, ai nuk ndaloi kurrë. Vazhdonte ditë pas dite, ndonjëherë minutë pas minute, vit pas viti”.
Me gjithë egërsinë e këtyre historive dhe mënyrën se sa mirë i rrëfen Ronsoni, është e qartë se kampioni i tij është shumë i vogël. Megjithatë, ai paraqet argumente bindëse se humbja e besimit tonë tek institucionet perëndimore ka pasur pasoja tejet të dëmshme, siç është përkushtimi ndaj individualizmit i cili fare lehtë mund të shndërrohet në narcizëm.
“Ndoshta harruam”, shkruan ai, “se, në formën e tyre më të mirë, institucionet janë bashkim, konsensus ... Ndërsa narcizët janë e kundërta e kësaj. Janë thjesht ndonjë tip që, teksa institucionet shemben, e mbush boshllëkun me deklarata të mëdha karizmatike dhe me zemërim të lënduar e histrionik. Ka kuptim që, teksa institucionet janë shembur, narcizët kanë lulëzuar”. (Pothuajse heroikisht, duke pasur parasysh këtë teori, Ronsoni arrin ta përfundonte tërë librin pa përmendur Donald Trumpin.)
Në të njëjtën kohë, Ronsoni sheh këtu një lavjerrës që ka shkuar tepër larg në drejtimin e kundërt, në paturpësinë me të cilën luftëtarët e rrjeteve sociale veprojnë tani. Ndonëse turpërimet publike që ai përshkroi në librin e mëparshëm ishin qartazi të tmerrshme, ai pranon se ndonjëherë turpi është forcë e shëndetshme. Një centrizëm i tillë i vjetër dhe i mërzitshëm mund të mos jetë më në modë, por është e vështirë të përfytyrosh shumë lexues që të arrijnë në fund të Kështjellës pa menduar se pafytyrësia e tanishme dhe varësia nga indinjata janë, në fund të fundit, vërtet për të ardhur keq. Sa për Markun, tek i cili Ronsoni rikthehet disi nga detyrimi, fati i tij mbetet i pazgjidhur. Për herë të fundit e shohim duke u përballur me një lloj hetimi të pasigurt nga autoritetet dhe, në këto rrethana, antiklimaktik. /Telegrafi/

