Please enter at least 3 characters.

Protestë kundër rritjes së rrymës, aktivistët dalin në rrugë të premten

Një grup aktivistësh, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata "Përpjekja", kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit për media, protesta do të mbahet këtë të premte, duke filluar nga ora 13:00 pranë ndërtesës së KEDS-it, ndërsa do të përfundojë para Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Organizatorët e protestës kanë deklaruar se që nga viti 2022 faturat e energjisë elektrike janë shtrenjtuar në baza vjetore, duke theksuar se kërkesat e KEDS-it për rritje çmimesh po aprovohen nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) në dëm të qytetarëve.

Sipas tyre, qytetarët nuk po paguajnë vetëm koston reale të energjisë, por edhe humbjet dhe keqmenaxhimin e kompanisë, ndërkohë që përballen me ndërprerje të shpeshta të rrymës, mungesë ngrohjeje dhe rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës.

Aktivistët përmendin rritjen prej 16.1 për qind të çmimit të energjisë elektrike vitin e kaluar, duke paralajmëruar se sivjet po diskutohet një rritje tjetër rreth 20 për qind, të cilën e cilësojnë si të papranueshme.

Organizatorët kanë ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që t’u bashkohen në protestë, duke theksuar se vetëm përmes reagimit qytetar mund të ndalet, siç thonë ata, “hajnia shumëvjeçare” dhe të mbrohet interesi publik.

Njoftimi i plotë:

Të ndëruara media,

Ju njoftojmë se këtë të premte, një grup aktivistësh/esh, Kolektivi Feminist dhe Përpjekja kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Protesta nisë nga ora 13:00 pranë ndërtesës së KEDS-it dhe përfundon te Qeveria e Republikës së Kosovës. Ju ftojmë ta përcjellni.

Që nga viti 2022 faturat e rrymës shtrejtohen në baza vjetore. KEDS-i kërkon rritje të faturave, ndërsa ZRrE-ja, si të ishte argat i tyre, ia aprovon çdo kërkesë në kurriz të popullit. Sot qytetarët/et e Kosovës nuk paguajnë vetëm koston e rrymës: ne paguajmë për humbjet e KEDS-it, paguajmë për keqmenaxhimin e tyre, paguajmë për etjen e tyre të pafund e për çdo gabim që ata bëjnë, krejt kjo vetëm për t’i siguruar që xhepat e tyre të vazhdojnë të trashen në kurrizin tonë.

Në shkëmbim ne prapë kalojmë ditë pa rrymë, me mosfurinizim të bollshëm, pa ngrohje në ditë dimri e me shtrenjtime të vazhdueshme të çdo aspekti të jetës sonë si pasojë e rritjes së çmimit të rrymës. Pas rritjes prej 16.1% që na u bë në mënyrë grabitqare nga ZRrE-ja vitin e kaluar, edhe sivjet po na paralajmërohet një vjedhje tjetër, tash diku 20%. Kjo hile e radhës prapë po i bashkon institucione publike e private që për ta pasuru KEDS-in po na e kthejnë kamxhikun neve, për të na rrjepë deri në cent të fundit.

KEDS-i vazhdon t’i mbledhë frytet e punës së punëtorëve/eve të KEK-ut që punojnë natë e ditë për ta prodhuar rrymën të cilën e blen shumë lirë e neve na e shet shumëfish. Përveç që vazhdon ta shfrytëzojë asetin publik dhe punën e dinjitetin e punëtorëve/eve të KEK-ut, KEDS-i, i ndihmuar vazhdimisht nga ZRrE-ja, po tenton të na varfërojë edhe më tej.

Ky paralajmërim që vjen në formë kërcënimi periodik është haptazi zhvatje ndaj nesh. Të revoltuar/a dhe të vendosur/a ta mbrojmë veten dhe mirëqenien tonë kundër privatit dhe argatëve të tij shtetërorë, ne organizohemi dhe kundërshtojmë deri në fitore. Andaj, ne thërasim për protestë për këtë të premte, në ora 13:00 përballë zyreve të KEDS, që një zë të thërrasim për ndalimin e kësaj hajnije shumë-vjeçare. Duke e njoftë se etja e KEDS ndaj parave të qytetarëve/eve nuk do të shuhet vetvetiu ne kërkojmë që:

  • Të refuzohet, pa asnjë paqartësi, kërkesa e KEDS për rritje të çmimeve.
  • Të fillojë procesi i rikthimit të KEDS në duar të publikut.
  • (kërkesa të sindikatës)

Ftojmë të gjithë qytetarët/et e Kosovës që të na bashkohen në protestë. Së bashku, ne mund ta ndalim hajninë e KEDS, dhe të rikthejmë atë në duar të popullit të Kosovës! /Telegrafi/