Prizreni zhvendos varrimet e reja në Varrezat e Landovicës, shkak mungesa e hapësirave
Komuna e Prizrenit ka njoftuar se, për shkak të mungesës së hapësirave të lira për varrime të reja në Varrezat e Qytetit dhe në Varrezat e lagjes Arbana, nga 10 gushti të këtij viti të gjitha varrimet e reja do të realizohen në Varrezat e Reja në Landovicë.
Sipas njoftimit, ky ndryshim është bërë i domosdoshëm për shkak të gjendjes së krijuar në terren dhe nevojës për të siguruar një proces të rregullt, të sigurt dhe dinjitoz të varrimit.
Komuna ka bërë të ditur se familjet e të ndjerëve, bashkësitë fetare dhe operatorët e shërbimeve funerale duhet të koordinohen paraprakisht me Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe KRM “Ekoregjioni” Prizren, para organizimit të ceremonive të varrimit.
Nga Komuna kanë kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve gjatë kalimit të shërbimeve funerale në lokacionin e ri. /Telegrafi/


