Prinë Prishtina me vizitorë në hotele
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat e hotelerisë në Kosovë për Tremujorin e dytë për ketë vit. Në TM2-2014, pjesë e anketës janë 105 hotele që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës, ku pjesa më e madhe e hoteleve gjenden në regjionin e Prishtinës, Pejës, Ferizaj etj. Sipas anketës, kapaciteti i shfrytëzuar në nivel vendi është 11.34 për qind
Sipas ASK-së në vitin 2013, numri i vizitorëve vendor është zvogëluar për 9.19 për qind në raport me vitin 2012. Kurse, netqëndrimet e vizitorëve vendor janë rritur për 5.50 për qind. Kemi rritje të vizitorët e jashtëm për 2.63 për qind, kurse netqëndrimet e vizitorëve të jashtëm janë zvogëluar për 7.79 për qind në raport me vitin 2012.
“Në TM2-2014 numri i vizitorëve është 29 515 vizitorë, ku 47.10 për qind janë vizitorë vendor dhe 52.90 për qind janë vizitorë të jashtëm. Kurse numri i netqëndrimeve në TM2-2014 është 42 695 netqëndrime, ku 37.23 për qind e netqëndrimeve janë nga vendorët dhe 62.77 për qind janë të huaj”, ka treguar ASK-ja në nj raport për vizitushmerine hoteleve.
Me numrin më të madh të vizitorëve gjatë vitit 2013 prinë regjioni i Prishtinës me gjithsej 68 687 vizitorë, Prizreni radhitet i dyti me 8109 vizitorë, Peja radhitet e treta me 6630 vizitorë.
“Në TM2-2014, numrin më të madh të vizitorëve dhe netqëndrimet e tyre e ka regjioni i Prishtinës me 21 600 vizitorë dhe 31 207 netqëndrime. Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Pejë. Kurse, sa u përket vizitorëve të huaj numri më i madh është nga Shqipëria, Gjermania dhe SHBA-ja”, bënë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës. /Telegrafi/


