Please enter at least 3 characters.

Presidenti i Kepit të Gjelbër mesazh Lionel Messit e Argjentinës: 100 për qind kemi gjasa për t’i mposhtur

Presidenti i Kepit të Gjelbër, Jose Maria Neves, ka bërë një deklaratë të guximshme para përballjes historike të kombëtares së tij ndaj Argjentinës në raundin e 32-të të Kampionatit Botëror 2026.

Përfaqësuesja afrikane është duke marrë pjesë për herë të parë në histori në një Kampionat Botëror dhe ka arritur të sigurojë kualifikimin në fazën me eliminim direkt kundër të gjitha parashikimeve.

Kepi i Gjelbër barazoi fillimisht me Spanjën dhe Uruguain në dy ndeshjet e para të grupit, ndërsa një tjetër barazim ndaj Arabisë Saudite rezultoi i mjaftueshëm për të siguruar kalimin tutje, pasi Uruguai u mposht nga Spanja.

Megjithatë, pavarësisht se Argjentina konsiderohet favorite absolute për kualifikim, presidenti Neves beson se vendi i tij mund të vazhdojë të shkruajë histori.

“Mendoj se Kepi i Gjelbër mund ta mposhtë Argjentinën 1-0”, deklaroi Neves në një intervistë për BBC.

“Ne po luajmë për të fituar. Kur pritshmëritë janë të ulëta për një ekip dhe ai ekip ka dëshirën për të fituar, gjithçka është e mundur”.

“Një komb i vogël si Kepi i Gjelbër duhet të bëjë përpjekje që gjithmonë t'i befasojë njerëzit”.

“Ne kemi 100 për qind shanse për të fituar kundër Argjentinës”.

Neves shkoi edhe më tej, duke deklaruar se përballja me Argjentinën është pjesë e fatit që kombëtarja e Kepit të Gjelbër kishte shkruar për veten në këtë Botëror.

“Ne erdhëm në këtë Botëror për të shkruar fatin tonë, që është të përballemi me kampionët”.

“Prandaj, ne do të përballemi me Argjentinën dhe Messin me të njëjtin vendosmëri, me të njëjtën dëshirë dhe me objektivin për të fituar dhe për të kaluar në fazën tjetër”, përfundoi presidenti i Kepit të Gjelbër./Telegrafi/