Përkundër premtimeve ndër vite, Prishtina ende pa autobusë të rinj
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, që nga mandati i tij i parë kishte premtuar shtimin e autobusëve të rinj në kryeqytet.
Rama më 20 korrik 2023 kishte thënë se shumë shpejt Trafikut Urban do t'i shtohen edhe 30 autobusë të rinj, 6 prej të cilëve do të jenë elektrikë.
Një premtim tjetër për autobusë të rinj, Rama po ashtu e kishte bërë edhe më 22 maj 2024, duke thënë se Prishtina do të bëhet me flotë të re të autobusëve nga 1 janari 2025.
Megjithatë, ky premtim ende nuk është realizuar, duke nxitur reagime dhe kritika nga opozita në Kuvendin Komunal.
Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, në një prononcim për Telegrafi, ka thënë se premtimi për autobusët është pjesë e një vargu zotimesh të pambajtura që nga fushata zgjedhore e vitit 2021, si dhe ajo e përsëritur e vitit 2025.
“Faktikisht edhe ky është një premtim në vazhdën e premtimeve të Ramës qysh në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2021, po ashtu në fushatën e përsëritur të vitit 2025”, ka thënë Sveçla.
Sipas tij, Rama ka dhënë disa data përgjatë viteve 2022, 2023 dhe 2024 për arritjen e autobusëve të rinj, por asnjëra prej tyre nuk është përmbushur.
Sveçla theksoi se problemi lidhet me një marrëveshje financimi me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila parashihte kredi për blerjen e autobusëve të rinj.
Megjithatë, sipas tij, ekzistojnë disa kushte që duhej të plotësoheshin nga Komuna dhe ndërmarrja e Trafikut Urban për realizimin e kësaj kredie.
Një ndër kushtet siç tha ai ka qenë vendosja e sistemit të biletës elektronike.
Sipas Sveçlës, në vend që të niste procesi i ristrukturimit të brendshëm, përfshirë sistemimin e konduktorëve, ndërmarrja ka rritur numrin e tyre, duke thelluar, siç thotë ai, keqmenaxhimin e brendshëm.
Po ashtu, ai thekson se Komuna kishte obligim që t’i jepte Trafikut Urban tokë në shfrytëzim afatgjatë, përmes vendimit të Kuvendit Komunal, por sipas tij, një propozim i tillë nuk është sjellë asnjëherë nga kryetari Rama.
“Mirëpo, çfarë ka ndodhë trafiku urban në vend që ta fillon procesin e largimit ose të sistemimit diku tjetër të punëtorëve që e kryejnë këtë shërbim, në këtë rast konduktorëve ata e kanë rritë numrin e konduktorëve, do të thotë ka pasur keqmenaxhim brenda ndërmarrjes. Në anën tjetër, komuna e ka një obligim që trafikut urban t'ia japë tokë në shfrytëzim afatgjatë. Kjo bëhet përmes Kuvendit Komunal", tha ai.
Si pasojë, Sveçla tha se kredia ka mbetur e parealizuar dhe qytetarët ende nuk kanë përfituar autobusë të rinj.
Ai ka shtuar se gjendja në Trafikun Urban mbetet e rëndë, me paralajmërime për greva nga punëtorët dhe mungesë të veprimeve konkrete nga ekzekutivi komunal për përmirësimin e situatës.
“Ne jemi dëshmitarë që gjendja në trafikun urban është shumë e rëndë. Kemi pas paralajmërime punëtorëve për greva, ndërkohë që nuk ka veprime të Ramës dhe të ekzekutivit të Prishtinës, që kishin me e lehtsu këtë gjendje. Përkundrazi, gjatë fushatës zgjedhore, siç e mbajmë mend të gjithë, për efekte elektorale, Rama i liroi disa kategori nga pagesa e biletës. E në anën tjetër, nuk e ka shtuar numrin autobusëve. Kjo rezulton me një trafik urban të parregullt dhe me një komunikacion të rënduar në kryeqytet si rezultat i mos funksionimit të mirë dhe të planifikuar të transportit publik”, u shpreh Sveçla.
Sipas tij, lirimi i disa kategorive nga pagesa e biletës gjatë fushatës zgjedhore, pa shtuar numrin e autobusëve, ka përkeqësuar funksionimin e transportit publik dhe ka rënduar komunikacionin në kryeqytet.
“Në i kemi ngritur shqetësimet tona për këtë çështje dhe kemi kërkuar përgjegjësi nga Rama për datat që ai vetë i ka bërë publike për sjelljen e autobusëve. Fatkeqësisht, edhe në këtë rast nuk kemi marrë një përgjigje konkrete nga kryetari i kryeqytetit”, ka përfunduar Sveçla.
Ndryshe, Telegrafi i ka shkruar Zyrës për informim të Komunës së Prishtinës për të marr informacione se ku është procesi lidhur me flotën e re të autobusëve, por deri tani nuk ka marr përgjigje. /Telegrafi/


