PDK: Refuzimi për t’i dhënë prioritet Rezolutës, shmangie nga përgjegjësia ndaj së vërtetës historike
Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar sot pasi dështoi të miratohet Rezoluta për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës së Kosovës dhe dinjitetit të viktimave.
PDK në një njoftim për media thekson se sot ka propozuar një Rezolutë të rëndësisë së veçantë për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës së Kosovës dhe dinjitetit të viktimave dhe ka kërkuar që kjo rezolutë të përfshihet si pikë e parë e rendit të ditës në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe urgjencën që lidhet me zhvillimet e fundit dhe reagimin e drejtë institucional ndaj tyre.
“Fatkeqësisht, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e ka mbështetur këtë kërkesë, duke refuzuar që Rezoluta të trajtohet me prioritetin që meriton. Në këto rrethana dhe për ta shmangur një votim të paracaktuar për dështim, PDK është detyruar ta tërheqë përkohësisht këtë Rezolutë nga procedura parlamentare dhe të lëshojë sallën e Kuvendit. PDK vlerëson se refuzimi për ta trajtuar këtë çështje si prioritet nuk është një vendim procedural, por një shmangie nga përgjegjësia institucionale për ta mbrojtur të vërtetën historike dhe për të respektuar dinjitetin e viktimave të luftës”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, rezoluta e propozuar nga PDK synon të dënojë çdo shtrembërim të fakteve historike, të kërkojë përgjegjësi për keqinformimin dhe të garantojë standarde të qarta institucionale në trajtimin e historisë së luftës së Kosovës.
“Partia Demokratike e Kosovës mbetet e vendosur që këtë çështje ta rikthejë në Kuvend dhe të kërkojë mbështetje të gjerë politike dhe shoqërore për miratimin e saj. Mbrojtja e së vërtetës historike nuk është çështje e një partie, por detyrim ndaj shtetit, ndaj viktimave dhe ndaj brezave që vijnë”, thuhet në reagim. /Telegrafi/


