Paul McCartney për mënyrën se si ish-shokët e grupit – dhe Oasis – frymëzuan albumin e tij të ri nostalgjik
Në moshën 83-vjeçare, McCartney po kthehet pas në kohë për solo-albumin e tij të 18-të, duke kujtuar flirtet e hershme, këndimet në familje, madje edhe vetë lindjen e tij – si dhe kohërat e ethshme që pasqyrojnë të sotmen. Kjo ia ka dhënë atij “çdo shpresë se do t'ia dalim“.
Nga: Laura Barton / The Guardian (titulli: ‘I can gauge John’s reaction: that’s good, stick that in’: Paul McCartney on how old bandmates – and Oasis – inspired his nostalgic new album)
Përkthimi: Telegrafi.com
“Sa larg dëshiron të kthehesh pas në kohë?” Në zyrën e tij me pamje nga Sheshi Soho në Londër, Paul McCartney dhe unë rrimë bashkë në një divan të vogël, duke kujtuar të kaluarën. Dhoma ka një aromë të thellë, rrëshinore dhe paksa kishtare. Në parvazin e dritares ndodhet një qiri i madh prej qelqi të gjelbër dhe, përtej tij, shihen rreshta pemësh të përmbytura nga drita e diellit të hershëm të pasdites.
Ndërtesa u ble nga McCartney në vitin 1974 dhe prej kohësh shërben si seli për kompaninë e tij botuese dhe për sipërmarrje të tjera. Në një kat tjetër, dy anëtarë të ekipit të tij po shqyrtojnë printimet e fotografive të gruas së tij të ndjerë, Lindas, të shtrira mbi tryezën e sallës së mbledhjeve. Një asistente po merret me porosinë e bageleve, ndërsa në ashensorin e vogël dikush po ngjit drejt kuzhinës një karrocë të mbushur me gota pijesh; një tingull i hareshëm përplasjesh e trokëllimash përhapet nëpër kate.
McCartney dhe unë po diskutojmë tingujt më të hershëm që ai mund të kujtojë, atë që Seamus Heaney dikur e quajti “thelbi gjuhësor”; pra, tingujt që vendosen në mënyrë të pavetëdijshme në vesh, duke krijuar një lloj themeli dëgjimor. The Boys of Dungeon Lane, albumi i 18-të solo i McCartneyt, është prezantuar si “një përmbledhje e rrallë dhe zbuluese kujtimesh të papublikuara më parë,” dhe është i pasur me hollësi të tilla tingëllore: bilbila, fishkëllima trenash, zhurma e frenimit të një autobusi teksa ndalon në stacion. Por, albumi nuk është një ushtrim nostalgjik me tinguj sentimentalë orkestralë; përkundrazi, është qasje aventureske dhe rinore ndaj muzikës me kitarë.
Lexo po ashtu:
- Dyshja Lennon-McCartney: Tensionet dhe konfliktet që u shndërruan në muzikë
-A e shpëtoi Yoko Ono grupin Beatles?
- Sekreti i gjenisë McCartney: Gjithçka ka të bëjë me basin!
- Në “hijen” e burrit: Paul McCartney përzgjedh fotot e gruas së jetës
- Muza që frymëzoi Paul McCartneyn
– Historia e panjohur e këngës “Imagine”: Imagjino ta bësh një këngë të bukur, për një botë më të bukur
– Miti i rrejshëm për John Lennonin
– “Top-lista” e grupit që ndryshoi muzikën dhe botën – The Beatles dhe këngët e tyre të nënvlerësuara
McCartney përpiqet të rikthejë kujtimet. “Mirë, tani po hyjmë në territor të dyshimtë, sepse kam ndjesinë se mund të kujtoj lindjen time,” thotë ai. “Shumë e dyshimtë, shumë e dyshimtë, por më kujtohen pllakat e bardha, instrumentet prej kromi dhe tingujt ... Ndoshta është krejtësisht një marrëzi. Në fakt, pothuajse me siguri është. Një kujtim i imagjinuar! Dhe, unë linda me pincë obstetrike.” Ai ndalet dhe fytyra i mbushet me ngrohtësi dhe humor. “Nuk e kuptoj tamam çfarë është kjo. Mendoj se u desh të më nxirrnin me një lloj pince.”
Ai rikthehet te tema e tingujve. “Janë shumë,” thotë ai. “Mund të rrimë këtu për disa orë.” Në shkollën fillore, duke vrapuar brenda me shokët e klasës. Në moshën 10-vjeçare, duke jetuar në Avenynë Perëndimore në Speke të Liverpulit, “duke qëndruar në brezin e gjelbër pranë rrugës me dy korsi, me vajzat, dhe duke i dëgjuar teksa bisedonin; njëra prej tyre tha: ‘I ke qerpikët shumë të bukur!’” Ishin edhe këngët familjare të Carolina Moonit, Red, Red Robin, Bread and Butterflies; një shaka e treguar nga ndonjë xhaxha, nga e cila ai kujton vetëm fundin: “Fjalë me vend.” Ai kujton edhe herën e parë që dëgjoi fjalën “ubiquitous” [kudogjendur].
“Shumë kujtime,” thotë ai. “Shumë të thella. Për këdo tjetër do të ishin krejt pa kuptim, në fakt.”
Fakti kurioz në jetën e Paul McCartneyt është se asgjë nuk konsiderohet e parëndësishme. Si kantautori më i shquar i brezit të tij dhe më gjerë, çdo detaj i 83 vjetëve të tij është analizuar deri në imtësi. Janë botuar mijëra libra për Beatles-at; tani ekzistojnë podkaste të shumta për Beatles-at, forume adhuruesish, dokumentari tetorësh i Peter Jacksonit, Get Back. Në kohën kur shkruaj, të paktën dy projekte filmike janë në prodhim: plani ambicioz i Sam Mendesit për katër filma të ndërlidhur dhe seriali dramatik i BBC-së nga Christian Schwochow, Hamburg Days - që ndjek periudhën formuese të grupit në Gjermani. Dhe, sigurisht, janë vetë këngët; tashmë aq të njohura sa nuk sillen më thjesht si muzikë, por si familje.
Pothuajse të gjithë mendojnë se e njohin McCartneyn, ndaj të jesh në praninë e tij është çorientuese. Si duhet të sillet njeriu? Sot ai e bën gjithçka të lehtë – një figurë gazmore me një këmishë të kaltër dhe xhinse të errëta, duke limuar pa nxitim thonjtë kur mbërrij unë. Kur i them se sa shumë më pëlqen albumi i ri, ai përgjigjet me një ton të thjeshtë: “Epo, mund të vish përsëri.”
McCartney thotë se kur shkruan këngë, “nuk e di veçanërisht çfarë do të dalë.” Ai nuk mendon se kishte “asgjë të vetëdijshme” pas vendimit për t’u rikthyer te e kaluara – ishte thjesht një mundësi për të treguar histori. Dungeon Lane i titullit të albumit ishte një vend për vëzhgimin e zogjve pranë shtëpisë në Rrugën Arduik, ku familja McCartney u shpërngul në vitin 1950. “Rreshta e rreshta e rreshta shtëpish komunale,” thotë ai. “Por, ishin shtëpi komunale shumë të mira.” Përmirësimi më i madh ishte tualeti brenda shtëpisë, por kishte edhe një ndjenjë hapësire që u jepte krenari sa herë që i vizitonin të afërmit ata.
Me pagën e nënës së tij si mami, dhe të atit që ishte shitës për një tregtar pambuku, kishte pak luks, por në shtëpi kishte një piano vertikale, një radio dhe një qilim ku ai mund të shtrihej dhe t’i dëgjonte të dyja. “Radioja ishte vërtet një burim i madh informacioni dhe muzike – BBC-ja ishte shumë e mirë për të gjitha këto gjëra. Jam një admirues i madh i BBC-së,” thotë ai me vendosmëri. Singli i parë i The Boys of Dungeon Lane u transmetua për herë të parë në stacionin lokal të radios së korporatës, BBC Merseyside.
Ai kujton se dëgjonte “pjesë të mrekullueshme të vogla klasike, dhe ato të depërtonin në tru.” Edhe sot e kësaj dite, ai mund të kujtojë emrat që shfaqeshin në fund të transmetimit: “Orkestra e drejtuar nga Harry Rabinowitz ...” Ai e shqipton emrin me një lloj kënaqësie të veçantë. “E dua radion, sepse ta çliron imagjinatën.”
Atij i pëlqenin dramat radiofonike dhe skeçet komike, mundësia e gjallë që fshihej në atë që nuk shihej. Në fund të viteve ’60 të shekullit XX, ai po udhëtonte me Aston Martin-in e tij të ri nga Londra drejt Liverpulit. “Dhe, ndeza radion, dhe ishte një dramë nga Alfred Jarry, ishte Ubu Cocu [Ubu Cuckolded],” thotë ai. “Më pëlqeu shumë! Ishte krejt e çmendur: ‘Ma jep pompën time të nevojtores!’ Mendova, po, mund ta identifikoj veten me këtë personazh. Dhe, ai është aq i pacipë.”
Ubu Cocu do të ndikonte në një pjesë të madhe të Maxwell’s Silver Hammer, që u publikua në albumin e Beatles-ave të vitit 1969, Abbey Road. “Radioja ma dha këtë,” thotë ai. “Nuk besoj se do ta kisha lexuar ndonjëherë ndryshe.”
Ishte radioja që i solli edhe rokënrolin: emisionin Record Round-up të Jack Jacksonit në BBC dhe David Jacobsin, “që ishte një prezantues shumë elegant i BBC-së, por shumë modern, dhe papritur thotë: ‘Ka një disk të mrekullueshëm amerikan nga Ray Charles i quajtur What’d I Say?’” Zot i madh, mendoi McCartney i ri, çfarë është kjo? Ai buzëqesh. “Pra, radioja të trondiste mendjen sërish.”
Herën e parë që dëgjoi veten në radio ishte viti 1963 dhe ai po ngiste Ford Classic-un e tij. “E mbaj mend saktësisht ku isha,” thotë ai, “duke kaluar pranë Greftonit në Liverpul, kur filloi Love Me Do.” Ai nuk ndaloi makinën. “Jo, thjesht vazhdova rrugën, i entuziazmuar. Por, ishte diçka.”
Disa vite më parë, McCartney publikoi një libër dhe një seri podkastesh shoqëruese me poetin Paul Muldoon. Këngëtari kishte ushqyer herët ambicien për t’u bërë poet dhe, së bashku, ata shqyrtuan tekstet e më shumë se 150 këngëve të tij me një qasje disi letrare. Ndër to ishte edhe Penny Lane, hiti i vitit 1967 në të cilin McCartney mbështetet te kujtimet e tij për një rrugë në periferi të Liverpulit ku ai, John Lennon dhe George Harrison ndërronin autobusët te terminali i rrethrrotullimit Smithdaun.
“Ishte një vend që zinte një pjesë shumë të rëndësishme në jetën time dhe në jetën e Johnit,” i tha ai Muldoonit. “Dhe, gjëja e bukur ishte se, gjatë shkrimit të saj, Johni e dinte saktësisht se për çfarë po flisja.” Ai tregoi për strehën e autobusit, rrethrrotullimin, shtyllën me vija të berberhanes. “Kur i sollëm në jetë në këngë, ishte diçka e këndshme që unë dhe Johni ta ndanim sërish.”
Shumë nga këngët në The Boys of Dungeon Lane lëvizin në territore të ngjashme. Sa e çuditshme duhet të jetë të shkruash për këtë peizazh, për këtë kohë, pa bashkëbiseduesin tënd më të madh. Në librin e fundit të Ian Lesliet, John & Paul: A Love Story in Songs, ai shkruan se pasi dëgjoi kompozimin e Lennonit, Strawberry Fields Forever, McCartney shkroi Penny Lane si “një lloj kënge përgjigjeje për fëmijërinë – dhe jo vetëm për fëmijërinë e tij, por për atë që kishte të përbashkët me Johnin”. Të dyja këngët u publikuan si dy anë të të njëjtit singël. “Duhet t’i imagjinojmë përballë njëra-tjetrës,” shkruan Leslie, “thellë në bisedë.”
Partneriteti i McCartneyt me Lennonin kishte ndryshuar përpara se Beatles-at të shpërbëheshin në pranverën e vitit 1970, por kur Lennoni u vra në fund të vitit 1980, biseda mori fund; çdo këngë mbeti pa përgjigje. “Bashkëpunëtori im ishte ndoshta një nga shkrimtarët më të mirë të shekullit, kështu që, po, do të të mungojë,” thotë tani McCartney. “Por, kur shkruaj [për një vend të caktuar], unë e di disi se ai do ta kishte njohur.” Kështu, çfarëdo vendi që McCartney mund të vizitojë përmes një kënge, “mund ta imagjinoj reagimin e tij: kjo është mirë, fute aty.”
“Por, kjo është jeta: humb njerëz,” shton ai. Producenti afatgjatë i Beatles-ave, George Martin, dikur e kishte paralajmëruar për humbjen e papritur që vjen me moshën: “Oh, gjëja e tmerrshme është se të gjithë shokët e tu fillojnë të ikin një nga një ...”, kujton McCartney se i kishte thënë. “Tani ndoshta jam në atë moshë dhe jam shumë i vetëdijshëm për këtë, pasi kam humbur Johnin dhe Georgein [Harrison] – dy pika të mëdha referimi për çdo gjë për të cilën flasim.”
Në album është një këngë e quajtur Down South, që kujton ditët kur ai, Harrison dhe Lennon udhëtonin me autostop. Të tre takoheshin në Rrugën Çester, aty ku niseshin të gjithë kamionët. “George do ta dinte saktësisht çfarë kisha parasysh dhe ku shkonim, ashtu si edhe Johni,” thotë McCartney. “Pra, po, të mungojnë. Filloj të trishtohem shumë dhe duhet t’i them vetes: ‘Prit një minutë, të gjithëve u mungojnë.’ Nuk jam vetëm unë. Kjo më bën të ndihem pak më mirë. Mendoj: ‘Eh, dreqi ta hajë, kjo është jeta dhe kjo është ajo që kemi.’”
Bashkëpunëtori i McCartney-t në The Boys of Dungeon Lane ishte producenti Andrew Watt, një amerikan 35-vjeçar, i njohur për punën e tij me Elton Johnin, Lady Gagan dhe Ozzy Osbournein, si dhe për dy albumet e fundit të Rolling Stones (McCartney madje shfaqet edhe në albumin e tyre më të fundit, që publikohet në korrik).
Watt nuk ka qenë kurrë në Rrugën Çester, por disi ata gjetën gjuhë të përbashkët. Madje, ai e nxiti McCartneyn të ishte më specifik në tekstet e tij. “Po shkruaja një pjesë te Days We Left Behind ku thosha: ‘U takuam në Rrugën Forthlin ...’”, kujton McCartney. “Dhe mendova: A duhet ta fus këtë? Unë e di ku është, por a e dinë të gjithë?” Të gjithë kanë një rrugë të tillë, e siguroi Watti. “Nuk është e nevojshme ta njohësh apo të kesh qenë në atë vend, por e kupton,” thotë McCartney.
Watt dhe McCartney u takuan për herë të parë për një çaj në studion e producentit. Një natë më parë, Watti ishte zgjuar i mbuluar në djersë të ftohta. Duke folur në telefon nga Los Anxhelesi, ai kujton procesin e mendimit të tij: “Dreqi: unë i bie kitarës me dorën e djathtë dhe ai i bie me të majtën.” Menjëherë nisi një kërkim të furishëm në internet për kitarat për mëngjarashë që e dinte se McCartney përdorte – një Höfner, një Martin D28, një Epiphone Casino. “Vetëm në rast se do të kërkonte një kitarë ...”
Dhe, ai e kërkoi. “Po i flisja për mënyrën se si shkruan një këngë,” thotë McCartney. “Dhe, i thashë se mund të ndodhë në shumë mënyra, por një nga gjërat që bëj kohët e fundit është thjesht të vendos gishtat mbi piano dhe të shoh nëse tingëllon mirë.” Mund ta provonte të njëjtën qasje edhe në kitarë, sugjeroi ai. Watti ishte gati me kitarën për mëngjarashë. McCartney vendosi gishtat mbi telat dhe luajti. “Ja ku e ke,” i tha Wattit, “ky është një akord i çuditshëm.” Ai nuk e kishte idenë se çfarë ishte, por ai do të bëhej fillimi i këngës hapëse spektakolare të albumit, As You Lie There.
Ai pretendon se ende nuk e di se çfarë akordi është. “Po ju them diçka, do të doja shumë ta dija,” thotë tani, duke marrë kitarën që kishte qëndruar qetësisht në të majtën e tij. “Njoh mjaft akorde si ... E!” luan ai. “A! B G C F ... I njoh të gjitha këto. Por, jam i interesuar të di çfarë është ky.” Ai ma luan akordin. Pyes veten çfarë emocioni i ngjall. “Një lloj çuditshmërie,” thotë ai. “Pak romantikë. Më e çuditshme se trillimi.”
Watt e përshkruan punën me McCartneyn si “përvoja më e madhe e jetës sime”. Ai kishte qenë adhurues i Beatles-ave gjatë gjithë jetës, por këngëtari u sigurua që ai të mos ndihej kurrë i mbingarkuar nga madhështia e tij. “Ai e di saktësisht kush është dhe çfarë ka bërë. Kur hyn në dhomë, hyn pa ego. Është sikur të fton të ngjitesh pak drejt nivelit të tij, ndërsa ai zbret pak për ty. E bën gjithçka shumë të hapur.”
Watt ka një bollëk kujtimesh nga koha e tyre në studio: si u prek deri në lot nga ndjeshmëria e Days We Left Behind, dhe si Home to Us – një duet me Ringo Starrin që nisi me një pjesë daullesh të Ringos – përfundoi duke tingëlluar aq i fuqishëm dhe i ashpër. “Nuk patëm fëmijëri të bukura,” i tha McCartney, Wattit; ishte e rëndësishme që edhe kënga të ishte po aq e fortë. Në mes të incizimit të këngës, McCartney shkoi të shihte Oasis-in dhe u frymëzua nga madhështia e tingullit të grupit. “Harroje 11-shin e Spinal Tap,” i tha Watt-it, “amplifikatorët janë në 12.” Ai kërkonte një madhështi të ngjashme.
Ndërsa rrimë ulur në divan, biseda e McCartneyt vazhdon të rrjedhë: nga pjesëmarrjet e tjera të ftuara në album (Chrissie Hynde, Sharleen Spiteri), te banesat për mamitë në vitet ’50 të shekullit XX; sesi rrjeti i autobusëve të Liverpulit ishte ndoshta po aq transformues sa hekurudha në kohën e Lincolnit; sesi ndonjëherë mendon për prindërit e tij, duke u kujdesur për të si foshnjë gjatë luftës, dhe sesi bëhet e pamundur të mos e lidhë këtë me situatën aktuale në Ukrainë ose në Gaza, “ku në çdo sekondë mund të bien bombat dhe duhet të jetosh me atë vetëdije”.
Një imazh i tillë i errët endet në hijet e Dungeon Lane: një ndjenjë e jetës që shtyp fort, me qira për t’u paguar dhe “pa ushqim në qilar”; burra që dehen ose drogohen, familje që “nuk mund të duronin më / Por, duhej”. Albumi duket sikur vizaton një vijë lidhëse mes atyre ditëve të ethshme dhe kohëve tona po aq të trazuara. McCartney mbetet i hutuar nga shumëçka e epokës së sotme – politika, teknologjia, agresiviteti. “Kush do ta kishte menduar ndonjëherë se do të kishit një president amerikan si ai?” pyet ai. “Nuk do ta kishe menduar se mund t’ia dilnin pa pasoja. Ose sekretarin e Luftës? Këtë nuk mund ta besoj.”
“Megjithatë mendoj se njerëzimi ka një qëndrueshmëri dhe një shpirt të jashtëzakonshëm, dhe shumica e njerëzve që takoj janë njerëz të mirë, të sjellshëm, njerëz familjarë,” vazhdon ai. “Dhe, mendoj se të gjithë kemi vlera pak a shumë të ngjashme. Shpesh, kur shkruaj një këngë dashurie, mendoj: ‘Oh, kjo nuk është lokale. Edhe në Kinë po bëjnë të njëjtën gjë. Po bien në dashuri dhe po bëjnë fëmijë.’ Është diçka njerëzore. Prandaj, kam plot shpresë se do ta kalojmë edhe këtë.”
Ai ndalet. “Mënyra ime është disi ta injoroj një pjesë të madhe të kësaj,” pranon ai. “Kështu që ka shumë gjëra që nuk i bëj.” Si për shembull? Ai gjallërohet menjëherë. “Kukis!” thotë ai – jo duke iu referuar biskotave, por bezdisjes së përhershme të internetit. “Të gjithë i pranojnë ato, ndërsa unë them: ‘Jo!’ Unë kërkoj për ‘refuzo të gjitha’.”
Së fundmi, McCartney performoi në një koncert për 50-vjetorin e Apple-it. “Apple 2, siç e quajmë ne,” buzëqesh ai, pasi Apple-i origjinal ishte shtëpia diskografike e Beatles-ave. Këngëtari u gjend në bisedë me drejtorin ekzekutiv të atëhershëm, Tim Cook, dhe shfrytëzoi rastin për ta qortuar për nevojën e vazhdueshme të iPhone-it për përditësime softuerike. “Nuk dua përditësime!” i tha ai. “Sapo u mësova me këto që kam! Ndjenja ime është kjo: Shiko, unë e bleva këtë pajisje, është e imja. Kështu që duhet ta bëjë disi atë që dua unë.”
Ai merr telefonin dhe më tregon një fotografi që kishte bërë të një vazoje me lule në shtëpinë e tij. “Për mua, kryesisht është aparat fotografik,” thotë ai. A përdor emotikone? “Po. Më pëlqejnë,” pohon me kokë. Cilët janë të preferuarit e tij? “Gishti lart është një nga kryesorët. Kam edhe fytyrën e kaubojit. Pastaj bëhem pak krijues – vendos krah të fortë, zemër, krah të fortë,” buzëqesh ai duke shpresuar. “Mendoj se duket pak si një njeri.” /Telegrafi/


