Pas reshjeve intensive në Pejë, situata mbetet stabile – reagon Agron Nikqi
Gjatë ditës së djeshme, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme të vogla në disa pjesë të qytetit të Pejës, duke bërë që në disa zona të dalë ujë nga kanalet e hapura.
Sipas përgjigjes së ofruar për Telegrafin nga Drejtori i Drejtoratit për Punë Komunale dhe Shërbime Publike në Pejë, Agron Nikqi, këto vërshime të vogla janë shkaktuar për shkak të bllokimit të urave nga hedhja e gjësendeve të ndryshme.
“Megjithatë, falë intervenimit të shpejtë të ekipeve emergjente dhe ndërprerjes së reshjeve, situata tashmë është stabilizuar dhe është nën kontroll. Edhe sot ekipet vazhdojnë të monitorojnë terrenin dhe të ndërhyjnë aty ku është e nevojshme,” ka deklaruar Nikqi për Telegrafin.
Ndërkohë, Komuna e Pejës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin hedhjen e mbeturinave dhe objekteve në kanalet e hapura, për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen./Telegrafi/


