"Pas përleshjes së qenve e fjalosjes nxori thikën dhe e goditi", kërkohet paraburgim për të arrestuarin për vrasje në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren bën të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit E.B., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas kërkesës së prokurorisë, më datë 10.08.2025 rreth orës 20:30 min në lagjen “Tusuz” në rrugën “Lapidari” në Prizren, i pandehuri E.B., pas një mosmarrëveshjeje paraprake, në mënyrë dinake dhe duke shfrytëzuar besimin e viktimës, me dashje e privon nga jeta tani më të ndjerin H.Sh., në atë mënyrë që fillimisht i nxisin qentë e tyre në një përleshje dhe pas një fjalosjeje të shkurtër, i pandehuri papritmas dhe në mënyrë të befasishme e nxjerr thikën-patente dhe e godet H.Sh., me ç’rast i njëjti dërgohet në QKUK në Prishtinë, ku ndërron jetë nga plagët e marra.
Me këto veprime E.B., ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” sipas KPRK-së, thuhet në njoftim.
Po ashtu, i njëjti ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së. /Telegrafi/


