Please enter at least 3 characters.

Pas humbjes që zemëroi tifozët, Bruno Fernandes del me një mesazh të fortë

Bruno Fernandes ka pranuar zhgënjimin e tifozëve të Manchester Unitedit pas humbjes 2-0 ndaj Hull Cityt në ndeshjen hapëse të Ligës Premier.

Kapiteni i “Djajve të Kuq” tha se e kupton reagimin e tifozëve, por kërkoi që ata të vazhdojnë të qëndrojnë pranë skuadrës gjatë sezonit.

“E kuptoj zhgënjimin. Në çdo sezon që fillon, ne duam të garojmë dhe të shkojmë sa më larg që mundemi, duke fituar çdo ndeshje”, deklaroi Fernandes për TNT Sports.

Portugezi theksoi se skuadra ka nevojë për mbështetjen e tifozëve, njësoj si sezonin e kaluar, por pranoi se vetë lojtarët duhet të bëjnë më shumë.

“Na duhet mbështetja e tyre, si sezonin e kaluar, duke besuar te ne. E dimë se edhe ne duhet të japim më shumë nga vetja”, tha ai.

Fernandes pranoi gjithashtu se United e dinte se sa e vështirë do të ishte përballja me Hullin. Sipas tij, skuadra duhej të barazonte intensitetin dhe agresivitetin e kundërshtarit.

“E dinim se sa të motivuar do të ishin. Në Premier League, këto lloj ndeshjesh janë shumë të vështira. Duhet të përballosh gjithçka me intensitet, agresivitet dhe në çdo aspekt tjetër”, u shpreh kapiteni i Unitedit.

Megjithatë, Fernandes beson se skuadra ishte në nivelin e duhur në shumicën e aspekteve, me përjashtim të dy situatave nga ndërprerjet, të cilat përfunduan me gola.

“E bëmë këtë, përveç dy goditjeve standarde. Ato na kushtuan ndeshjen”, shtoi ai.

Manchester United pësoi dy gola në pjesën e dytë dhe nuk arriti të reagojë seriozisht deri në fund, ndërsa Fernandes ishte larg paraqitjes së tij më të mirë./Telegrafi/