Pas golit që i shënoi Realit, sulmuesi u kap duke vozitur në gjendje të dehur – tash është dënuar me nëntë muaj burg
Sulmuesi i Las Palmas, Sergio Araujo, është dënuar me nëntë muaj burg pasi kishte refuzuar të bënte testin e alkoolit, por pritet që të mos qëndrojnë prapa grilave.
Më 26 shtator, ai ishte ndalur nga policia, ndërsa kishte vozitur në gjendje të dehur. Futbollisti ka refuzuar ta bëjë testin e alkoolit dhe rasti është dërguar në gjykatë.
24-vjeçarit i është suspenduar edhe leja e vozitjes për dy vite, për incidentin që ndodhi në qytetin Ingenio vetëm dy ditë pasi i kishte shënuar gol Real Madridit në barazimin prej 2-2.
Sidoqoftë, një zëdhënës i gjykatës ka thënë se nuk beson se Araujo do të qëndrojë në burg në rast se dënimi do të ishte më pak se dy vjet dhe vendimi është i tillë.
Ndryshe, në edicionin 2014/2015, sulmuesi shënoi 25 gola në 43 paraqitje për të ndihmuar promovimin e Las Palmas në La Liga.
Në sezonin e kaluar shënoi pesë gola, kurse këtë sezon deri më tani ka realizuar dy gola. /Telegrafi/


