Please enter at least 3 characters.

Pas Aleancës, edhe PDK refuzon takimin, Ismaili: Haxhiu më mirë t’i kishte shkruar Deharit që ta thërrasë Kuvendin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka bërë të ditur se PDK nuk do të jetë në takimin e thirrur nga Albulena Haxhiu.

Ismaili në një konferencë për media tha se Haxhiu do të duhej që t’i kishte shkruar kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari që ta thërrasë seancën.


"E para, kjo është edhe një tentativë manipulimi e zotit Kurti me shtyrjen e afateve kundrejt afatit të Gjykatës Kushtetuese, pra është një manipulim i radhës. Zonja Albulena Haxhiu më mirë do të ishte t’i kishte shkruar letër Deharit që ta thërrasë Kuvendin. Sepse çdo pushtet në Kosovë, çdo pushtet politik funksionon dhe bazohet në Kuvendin e Kosovës dhe Kuvendi është i suspenduar...

Çfarë logjike ka kjo, qysh mund të ushtrosh mandate dhe të dërgosh letra... ajo ish dashtë që letrën e parë t’ia dërgoj Deharit... PDK-ja nuk do të jetë në atë takim, ne do të jemi në Kuvend", deklaroi ai.


Ai tutje tha se Kosova po kalon nëpër një situatë të rëndë institucionale, pasi Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar edhe një javë pas përfundimit të afatit kushtetues.

“Ndërkohë që Albin Kurti merret me kalkulime politike, qytetarët po e paguajnë çmimin. Kjo nuk është teori apo akuzë partiake. Dje lexuam lajme për mungesën e barnave të rëndësishme për pacientët me kancer në QKUK. Mungesa e një Kuvendi funksional i lë qytetarët në mëshirën e ministrave pa mandat dhe të një pushteti pa kontroll e llogaridhënie”, tha ai.

Ismaili përmendi edhe gjendjen në shëndetësi, energji dhe arsim, duke thënë se qytetarët po përballen me çmime të larta, shpenzime të mëdha dhe mungesë të reformave.

“Mijëra familje kosovare paguajnë çmime të larta për shërbime shëndetësore. Në energji, miliona euro nga xhepat e qytetarëve po përfundojnë te kompani të afërta me pushtetin. Në arsim nuk po shohim projekte serioze për përmirësim dhe digjitalizim. Kjo është Kosova reale e krizave shumëvjeçare të Albin Kurtit”, ka thënë Ismaili.

Ai ka shtuar se shumica e qytetarëve e shohin se këto kriza po e dobësojnë Kosovën, ndërsa, sipas tij, Albin Kurti vazhdon të sillet sikur gjithçka po funksionon normalisht.

“Tash kësaj i është shtuar edhe një krizë e re: shkelja e afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese dhe shpërfillja e Rregullores së Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive”, tha ai.

Ai bëri të ditur se Grupi Parlamentar i PDK-së i ka dërguar sërish kërkesë Avni Deharit që ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive për nesër, më 16 gusht, nga ora 11:00.

“Ta rikthejmë rendin kushtetues në Kosovë. Ta thërrasin seancën. Ta propozojnë Kryetarin e Kuvendit dhe ta konstituojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk mund të bëhet asnjë hap përpara duke ecur jashtë Kushtetutës”, tha ai.

Ismaili theksoi se Kosova nuk mund të mbetet pafundësisht peng i kalkulimeve politike të Albin Kurtit. /Telegrafi/