Please enter at least 3 characters.

Pamje të momenteve më interesante të vizitës së dytë të Gianni Infantinos në Kosovë ku u nderua me "Medaljen e Nderin"

Kreu i FIFA-s, Gianni Infantino, vizitoi për herë të dytë Kosovën, një vend me të cilin ka një lidhje të veçantë që nga 13 maji i vitit 2016, kur Kosova u pranua si anëtare e FIFA-s gjatë Kongresit të tij të parë si president. Këtë herë, vizita e tij pati karakter nderi, pasi Infantino u dekorua me “Medaljen e Nderit” nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, Infantino u prit ngrohtësisht nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, bashkë me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv dhe një grup fëmijësh të programit “Grassroots”.

Ademi e cilësoi Kosovën si shtëpinë e Infantinos, ndërsa presidenti i FIFA-s u shpreh se ndihej si në shtëpi, duke vlerësuar simpatinë dhe respektin që populli i Kosovës gëzon për të.

Ceremonia solemne në Prishtinë mbajti pranë përfaqësues të institucioneve shtetërore, zv/presidentin e UEFA-s, presidentin e FSHF-së Armand Duka, ambasadorë, futbollistë të Kombëtares, legjenda të futbollit dhe drejtues të klubeve.

Infantino u shpreh i thellësisht i nderuar dhe emocionuar për vlerësimin, ndërsa presidentja Osmani theksoi rolin e futbollit në mbajtjen gjallë të shpresës dhe ëndrrave të shumë fëmijëve që nga lufta e vitit 1999.

Në fjalën e tij, Infantino kujtoi momentet e para të përfshirjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe theksoi se futbolli bashkon popujt dhe i bën vajzat e djemtë të ëndërrojnë për të ardhmen.

Ai gjithashtu e dedikoi medaljen ish-presidentit të ndjerë të FFK-së, Fadil Vokrri, duke vlerësuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në afirmimin e futbollit kosovar në skenën ndërkombëtare.

telegrafi.com

“Do të doja t’ia dedikoja këtë medalje Fadil Vokrrit dhe gjithë popullit të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit. E kam takuar shpesh Fadilin dhe që në ato takime të para e kuptova forcën, rezistencën dhe guximin e popullit të Kosovës për të arritur qëllimet e veta”, deklaroi Infantino në kulmin e fjalimit të tij.

Në fund të ceremonisë, Infantino ftoi në skenë ekipin e Kombëtares së Kosovës, duke inkurajuar të gjithë të investojnë në brezat e rinj të futbollistëve dhe të besojnë në potencialin e tyre.

Kjo vizitë e dytë, pas asaj të shtatorit 2022, e forcon edhe më shumë lidhjen e FIFA-s me Kosovën dhe demonstron mbështetjen e vazhdueshme të Infantos për zhvillimin e futbollit në vend. /Telegrafi/