“Osimhen më i miri në botë, do ta zëvendësojë Messin te PSG” – agjenti i njohur flet për afatin kalimtar
Menaxheri italian Andrea D'Amico beson se lojtari i Napolit, Victor Osimhen është sulmuesi më i mirë në botë dhe do ta zëvendësojë Leo Messin te PSG.
D'Amico nuk është menaxher i Osimhenit, por përfaqëson lojtarë si Sebastian Giovinco dhe Nico Fagioli.
“Ai është më i miri për momentin, më i mirë edhe se Haaland”.
"Unë mendoj se ai do të jetë në gjendje të zgjedhë se ku dëshiron të shkojë, veçanërisht në Angli ose te PSG, të cilët mund të humbasin një sulmues të rëndësishëm. Domethënë, besoj se Messi do të shkojë në Miami. Por kjo është vetëm ndjenja ime", tha D'Amico për Radio24.
Osimhen shënoi 21 gola në 23 ndeshje në Serie A, duke e bërë atë golashënuesin më të mirë në ligë.
Napoli i tij është në vendin e parë me 71 pikë, 16 më shumë se Lazio i vendit të dytë dhe po shkon drejt titullit kampion.
Sulmuesi nigerian ka shënuar gjithsej 25 gola në 29 ndeshje në të gjitha garat.
Ai mbërriti në klubin napolitan në vitin 2020 nga Lille për 75 milionë euro, ndërsa aktualisht nga Transfermarkt vlerësohet 100 milionë euro. /Telegrafi/


