Please enter at least 3 characters.

Opozita në Serbi: Vuçiqi ka dërguar një aeroplan plot me kriminelë në Mal të Zi

Nënkryetari i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë (SSP), Borko Stefanoviq, reagoi lidhur me informacionin se policia e Malit të Zi ka ndaluar hyrjen në vend për një grup prej të paktën 90 personash nga Serbia, të cilët të mërkurën kishin mbërritur në Tivat me një fluturim “charter” nga Beogradi.

Stefanović tha se 90 personat, shumë prej të cilëve kanë dosje kriminale, janë dërguar personalisht nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ja çfarë bën realisht Vuçiqi në rajon dhe si duket ‘rruga e tij evropiane’, në shembullin e fluturimit kriminal për në Tivat që e ka dërguar personalisht. Ai ka dërguar me avion charter, një aeroplan të tipit Embraer që është paguar në mënyrë të dyshimtë, 90 persona, shumë prej të cilëve kanë dosje kriminale, për të siguruar në mënyrë joformale Vuçiqin në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat,” shkroi Stefanoviq.

Policia e Malit të Zi po i kthen ata në Serbi nga aeroporti i Tivatit, pasi është konstatuar se janë “persona të interesit për sigurinë”.

“Dërgimi i një formacioni para-policor është gjë normale dhe e zakonshme, por vetëm në koordinim të ngushtë me vendin pritës dhe kurrsesi 90 persona, përveç nëse je president i SHBA-së për shembull. Duket se Aleksandar Vuçiq nuk e kupton se nuk mund të sillet jashtë vendit si në shtëpi, ku nën pushtetin e SNS-së nuk dihet më kush është polic e kush kriminel. Ai nuk mund ta pranojë se nuk është as afër të qenit i rëndësishëm apo kryesor në Samitin në Tivat”, shtoi ai.

Opozitari serb pretendon se ky skandal është turp për Serbinë dhe se tregon fytyrën e vërtetë të Vuçiqit, të cilin e akuzon se synon të prishë marrëdhëniet me fqinjët dhe të krijojë konflikte, duke dëshmuar mungesën e një “rruge evropiane” të vërtetë dhe shkatërrimin e stabilitetit në Serbi dhe rajon.

“Vuçiqi është mësuar të sillet me arrogancë, edhe pse e di se dikur edhe mentorin e tij politik dhe frymëzimin e përhershëm, Sheshelin, e nxorën me forcë nga Mali i Zi. Tani po ndodh e njëjta gjë me ekipin e tij kriminal që e ka dërguar në Mal të Zi si para-polici e presidentit të shtetit, gjë që është një turp dhe poshtërim i paprecedent për Serbinë.

Ai u detyrohet qytetarëve të Serbisë të shpjegojë kush e pagoi fluturimin charter kriminal për në Tivat, kush i ftoi njerëzit me dosje kriminale të shkonin si para-polic e Vuçiqit në Mal të Zi, nëse ishin të armatosur dhe nëse mban mend fjalët e tij të para disa ditëve se nuk mund të ketë kriminelë në polici? Çfarë po bën, o njeri?”, pyeti Stefanoviq.

Ndërkohë, opozitarja tjetër në Serbi, Marinika Tepiq ka publikuar edhe emrat e personave që ishin pjesë e këtij veprimi në Mal të Zi.

Aeroplani është mbajtur në pistën e aeroportit të Tivatit për kontrolle të detajuara të personave që kanë mbërritur, si dhe për verifikimin e arsyes së vizitës së tyre, u tha nga policia. /Telegrafi/