Please enter at least 3 characters.

Një i burgosur vdes në Qendrën Korrektuese të Dubravës, dyshohet për vetëvarje

Një i burgosur ka humbur jetën në Qendrën Korrektuese të Dubravës, pasi dyshohet se ka kryer vetëvarje në pavijonin ku janë të vendosur personat me nevoja të veçanta.

Lajmi është konfirmuar përmes një njoftimi të përbashkët nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve.

Sipas njoftimit, zyrtarët korrektues kanë hasur në rastin e vetëvarjes së të burgosurit me inicialet K.N. në Pavijonin D të Qendrës Korrektuese të Dubravës.

“Menjëherë pas evidentimit të rastit, zyrtarët korrektues dhe personeli mjekësor kanë reaguar me urgjencë duke ofruar ndihmën e parë dhe duke e transportuar të burgosurin për trajtim në Spitalin Rajonal në Pejë”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes së stafit korrektues dhe ekipit mjekësor, i burgosuri nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se lidhur me rastin janë njoftuar menjëherë Policia e Kosovës dhe prokurori kompetent, ndërsa janë iniciuar procedurat hetimore dhe administrative për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve kanë theksuar se hetimet do të përcaktojnë të gjitha detajet që lidhen me rastin./Telegrafi.