Nga fondet e BE-së, 5 milionë euro investime në UP
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka aplikuar për grande që jep Bashkimi Evropiane përmes programeve TEMPUS. Rektori Ibrahim Gashi, tha për Radio Kosovën, se nga 25 aplikacione, prej tyre janë fituar nëntë grande. Kjo është një e arritur që ka bërë ky menaxhment, sidomos zyra për marrëdhënie me jashtë, tha Gashi.
“Nga këto grande ne presim të hyra rreth 5 milion euro në UP, për tri vitet e ardhshme, që nënkuptojnë pajisje, mobilitet të studentëve dhe profesorëve, kompensim të stafit, shpenzime të stafit. Përveç asaj që ka shkëmbim akademik, rritje të bashkëpunimit, ndërkombëtarizim të universitetit. Por, ka edhe programe që pas dy vitesh ose tri duhet të vazhdojmë ne me forcat tona, d.m.th. programe te reja studimore”, tha Gashi.
Universiteti ka marrëveshje të mira me universitetet evropiane kryesisht nga Evropa qendrore dhe ajo perëndimore. Rektori Gashi theksoi se është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Londrës, në kuadër të tij me shkollën ekonomike, që do të fillojë të zbatohet së shpejti.
“Ata kanë një model që japin diploma të dyfishta, d.m.th., studimet mbahen këtu, testet dërgohen dhe vlerësohen atje. Ata kandidatë që arrijnë të kalojnë testet, në fund ai student merr një diplome të Prishtinës dhe një diplomë nga ajo shkollë. Ne po provojmë diçka sivjet në Fakultetin Ekonomik dhe Shkenca Politike”, shtoi ai.
Gjithashtu, janë arritur marrëveshje bashkëpunimi edhe me universitetet amerikane, ku pritet që një grand i USAID-it do të intensifikojë edhe më shumë këtë bashkëpunim. Edhe pse janë ofruar programe të shumta në bashkëpunim me universitetet ndërkombëtare, studentët kosovarë nuk kanë shprehur interesim të madh për të vazhduar studimet në njërin nga ato universitete.
Rektori Gashi, thotë se ky interesim është i vogël, ndoshta sepse ato programe kërkojnë një nivel shumë të lartë të gjuhës angleze apo të asaj gjermane. /RTK/Telegrafi/


