“New Rules” e Dua Lipës arrin një miliard dëgjime në “Spotify”
Edhe një sukses i këngëtares shqiptare në karrierën muzikore.
Dua Lipa vazhdon të mbetet një prej këngëtareve më të dëgjuara në platformën numër 1 në botë të muzikës, “Spotify”.
E për të dëshmuar këtë më së miri flet kënga “New Rules”, e cila deri më tani është dëgjuar mbi një miliard herë.
“New Rules është dëgjuar një miliard herë në Spotify. Është bërë këngëtarja e dytë femër që arrin një rekord të tillë”, shkruan në njoftimin e Spotify.
Këtë e ka bërë të ditur edhe vet artistja shqiptare përmes rrjeteve sociale teksa i ka falënderuar të gjithë fansat.
“Mirëmëngjesi. Një miliard dëgjime në Spotify!!!! Shumë dashuri dhe mirënjohje për të gjithë që po dëgjojnë muzikën ... faleminderit, faleminderit! Kjo është shumë ‘cool’”, ka shkruar ajo në Instagram.
Theksojmë se kënga e publikuar në korrik të vitit të kaluar deri më tani është shikuar mbi 1.5 miliard herë në YouTube.
Ndryshe, 23-vjeçarja është duke punuar në projekte të reja muzikore që do t’i sjell gjatë muajve në vijim. /Telegrafi/


