Në Prishtinë mbyllen përkohësisht për qarkullim rruga “Bajram Bahtiri” dhe një pjesë e rrugës “Afrim Zhitia”
Komuna e Prishtinës njofton se për shkak të realizimit të punimeve në kuadër të projektit “Ndërtimi i rrugës Bajram Bahtiri – Faza II”, do të ketë mbyllje të përkohshme për qarkullim të rrugës “Bajram Bahtiri” nga 20 korrik deri më 11 gusht.
“Lusim qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik për mirëkuptim dhe i ftojmë të shfrytëzojnë rrugë alternative gjatë kësaj periudhe. Faleminderit për mirëkuptimin!”, thuhet në njoftim të komunës.
Ndërsa, Drejtoria e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave do të zhvillojë punime infrastrukturore në një segment të rrugës “Afrim Zhitia”, nga semaforët te Fakulteti Teknik deri te semaforët te Mensa e Studentëve (ana e djathtë, drejtimi i konvikteve).
Për shkak të punimeve, ky segment rrugor do të mbyllet për qarkullim nga:
15 korrik 2026, ora 20:00 deri më 20 korrik 2026, ora 20:00.
Gjatë kësaj periudhe, qytetarët mund të shfrytëzojnë si rrugë alternative aksin:
“Xheladin Rekaliu” – “Edmond Hoxha”.
“Lusim të gjithë pjesëmarrësit në trafik për mirëkuptim dhe respektim të sinjalizimit të vendosur në terren, në mënyrë që punimet të zhvillohen në mënyrë sa më të sigurt dhe efikase”, thuhet në njoftim.


