Please enter at least 3 characters.

Në prag të sezonit bujqësor, policia në Gjilan apelon për makineri më të sigurta

20:"Photo:RIDVAN SLIVOVA

Policia në Gjilan ka njoftuar se është në zbatim të planit operativ “Makineria Bujqësore”, me qëllim parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor, veçanërisht atyre që lidhen me përdorimin e mjeteve bujqësore.

Në kuadër të këtij plani, njësitet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan janë duke kryer kontrolle dhe duke apeluar për kujdes të shtuar nga ana e ngasësve të makinerive bujqësore.

Policia u bën thirrje këtyre ngasësve që të respektojnë në mënyrë rigoroze të gjitha dispozitat ligjore në trafik, duke u përqendruar veçanërisht në sigurinë dhe mirëmbajtjen e pajisjeve që përdorin.

Sipas autoriteteve, makineritë bujqësore duhet të jenë të pajisura me sinjalizues dhe të jenë të dukshme gjatë gjithë kohës në trafik.

Po ashtu, pajisjet bujqësore duhet të jenë në gjendje të mirë teknike dhe të përshtatshme për lëvizje në rrugë. Sistemet e drejtimit dhe të frenimit duhet të jenë funksionale, ndërsa duhet pasur kujdes edhe me lartësinë e ngarkesave, për të shmangur rreziqet e mundshme gjatë qarkullimit.

Policia paralajmëron se rimorkiot nuk duhet të mbingarkohen, pasi kjo i bën ato të paqëndrueshme dhe të rrezikshme për pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

Policia gjithashtu kërkon që gjithmonë të mbahet distanca e nevojshme dhe çdo dalje në rrugë të bëhet në mënyrë të sigurt. Makineritë që lëvizin në rrugë publike nuk duhet të kenë goma të zhytura ose të papërshtatshme për qarkullim.

Ndërsa, në vazhdën e implementimit të planeve operative për siguri në trafik janë shqiptuar 1710 gjoba.

Gjatë kësaj periudhe në kuadër të këtyre planeve janë ndërmarr aktivitete edhe në hetimin e 15 aksidenteve të trafikut me dëme materiale, hetimin e 18 aksidenteve të trafikut me të lënduar dhe është shqiptuar masa e ndalim drejtimit të mjeteve motorike për 19 ngasës. /Telegrafi/