Please enter at least 3 characters.

"Ne nuk e dimë madhësinë e Ukrainës", Orban për bisedimet e anëtarësimit të Ukrainës në BE

2023/09/orban.jpg

Kryeministri hungarez, Viktor Orban tha të premten se "pyetjeve shumë të vështira" do të duhet të përgjigjen përpara se Bashkimi Evropian të mund të fillojë bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën.

Vendet e BE-së do të vendosin në dhjetor nëse do të lejojnë Ukrainën të fillojë negociatat e pranimit, të cilat do të kërkonin mbështetjen unanime të 27 anëtarëve. Diplomatët kanë thënë se Hungaria mund të jetë një pengesë.

"Ne nuk mund ta shmangim pyetjen - kur gjatë vjeshtës do të kemi negociata në Bruksel për të ardhmen e Ukrainës - nëse mund të shqyrtojmë seriozisht anëtarësimin e një vendi, për të filluar bisedimet e pranimit me një vend që është në luftë", tha Orban, raporton reuters.

“Ne nuk e dimë se sa i madh është territori i këtij vendi, pasi lufta është ende në vazhdim, nuk e dimë se sa e madhe është popullsia teksa njerëzit po ikin... për të pranuar një vend në BE, pa ditur parametrat e tij, kjo do të ishte e paprecedentë”, pohoi kreu i qeverisë hungareze.

"Kështu që unë mendoj se ne duhet t'u përgjigjemi pyetjeve shumë të gjata dhe të vështira derisa të arrijmë të vendosim në të vërtetë për fillimin e bisedimeve të pranimit", tha ai.

Duke komentuar deklaratën e Orbanit, ministria e jashtme e Ukrainës tha se ishte pozitive "që kryeministri hungarez është i shqetësuar për pranimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian".

Kujtojmë sse Orban ka lidhje më të ngrohta me Moskën se sa shumë vende tjera të BE-së dhe ka kundërshtuar vazhdimisht Kievin, duke përfshirë të drejtën e hungarezëve etnikë për të mësuar në gjuhën e tyre amtare pasi Ukraina miratoi një ligj të vitit 2017 që kufizon përdorimin e gjuhëve të pakicave në shkolla.

Orban i tha parlamentit të hënën se Hungaria nuk do të mbështesë Ukrainën për asnjë çështje në rrafshin ndërkombëtar derisa të rikthehen të drejtat gjuhësore të hungarezëve etnikë atje.

Hungaria është anëtare e NATO-s dhe kundërshton pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Hungaria ka refuzuar të dërgojë armë në Ukrainë, por ka mirëpritur refugjatët ukrainas që ikin nga lufta. /Telegrafi/