Please enter at least 3 characters.

Në listën e PDK-së përfshihen kandidatë që dyshohen se manipuluan me vota në Prizren, reagon Totaj

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka reaguar lidhur me zhvillimet pas “kompromitimit të procesit të numërimit të votave” në zgjedhjet nacionale të dhjetorit 2025, duke thënë se ka obligim që opinioni publik të informohet drejt.

Në një postim në Facebook, Totaj ka kujtuar se kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kishte kërkuar reflektim dhe përgjegjësi nga lidershipi i degës së PDK-së në Prizren dhe nga ai si kryetar i degës.

“Kemi obligim që opinionin publik ta informojmë drejt. Pas kompromitimit të procesit të numërimit të votave në zgjedhjet nacionale të Dhjetorit 2025, kryetari i PDK-së z. Bedri Hamza, në një intervistë në TV Klan Kosova, kishte kërkuar reflektim dhe përgjegjësi nga lidershipi i degës së PDK-së në Prizren dhe nga unë si kryetar i saj”, ka shkruar Totaj.

Ai ka thënë se pas konsultimeve të brendshme, ai dhe kryesia e degës në Prizren kanë reflektuar “me përgjegjësi politike dhe morale”.

“Pas konsultimeve të brendshme, unë dhe kryesia e degës në Prizren kemi reflektuar me përgjegjësi politike dhe morale”, ka theksuar ai.

Totaj ka deklaruar se personat emrat e të cilëve u përmendën në atë proces, sipas tij, nuk janë propozuar nga dega e PDK-së në Prizren për listën e kandidatëve, ndërsa ka shtuar se disa janë tërhequr publikisht deri në përfundimin e procesit ligjor.

“Personat emrat e të cilëve u përmendën në atë proces nuk janë propozuar nga dega e PDK-së në Prizren për të qenë pjesë e listës së kandidatëve. Madje, disa prej tyre janë tërhequr publikisht nga gara deri në përfundimin e procesit ligjor”, ka shkruar Totaj.

Megjithatë, ai ka thënë se në listën përfundimtare të PDK-së janë përfshirë edhe kandidatë, emrat e të cilëve janë përmendur në procesin e kompromituar.

“Megjithatë, në listën përfundimtare të PDK-së janë përfshirë kandidatë emrat e të cilëve janë përmendur në procesin e kompromituar të numërimit të votave”, ka shtuar ai.

Në fund, Totaj ka thënë se gara do të vazhdojë me përkushtim.

“Sidoqoftë, ne do ta vazhdojmë garën me përkushtim të plotë dhe kontribut maksimal”, ka përfunduar ai.

Në postim, Totaj ka publikuar edhe listën e kandidatëve që, sipas tij, janë propozuar nga dega e PDK-së në Prizren:

“Në vijim, lista e kandidatëve të propozuar nga dega e PDK-së në Prizren:

  1. Faruk Bojaxhiu;
  2. Jona Hoxhaj;
  3. Shkelzen Kastrati;
  4. Endra Luzha-Pula;
  5. Adelina Beqiri-Minci;
  6. Betim Ramadani;
  7. Lumnije Rakaj;
  8. Xhafer Hoxha;
  9. Lajde Kolgjeraj". /Telegrafi/