Momenti pas të shtënave në Pejë ku mbeti i plagosur një person
Një 28 vjeçar është arrestuar tashmë nga policia në lidhje me plagosjen që ndodhi gjatë ditës së hënë në Pejë.
Telegrafi ka siguruar videon pas momentit të gjuajtjes me armë zjarri tek një parking.
Policia e Kosovës tashmë ka arrestuar të dyshuarin kryesor, 28-vjeçarin me inicialet B.K.
Ai dyshohet se kishte në posedim dy armë, njërën prej tyre me leje. Në vendin e ngjarjes se u gjetën nëntë gëzhoja.
Sipas informacioneve, motivi i dyshuar i konfliktit lidhet me një mosmarrëveshje për një vendparkim, e cila më pas eskaloi në përdorim të armës së zjarrit.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, B.K. është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale "Vrasja në tentativë".
Sipas Prokurorisë, menjëherë pas marrjes së informatës për rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë Prokurori i Shtetit, njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe ekipet e forenzikës, të cilat kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kanë mbledhur provat materiale.
"Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë grumbulluar prova materiale që do të shërbejnë në zhvillimin e procedurës penale. Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë në Gjykatën kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit", thuhet në njoftimin e Prokurorisë.


