Please enter at least 3 characters.

Ministria e Financave i reagon Avokatit të Popullit lidhur me verifikimin e rezidencës për shtesat për fëmijë

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) njofton se deklarata e publikuar nga Avokati i Popullit lidhur me kërkesën për verifikimin e rezidencës për përfituesit e shtesave për fëmijë është e pasaktë dhe si pasojë e dëmton rëndë reputacionin e shtetit tonë.

Sipas Ministrisë së Financave, qëllimi i verifikimit të rezidencës për përfituesit e shtesave për fëmijë është që të sigurohemi se nga to përfitojnë familjet që jetojnë në Kosovë, duke mbrojtur kështu paranë publike dhe duke garantuar që mbështetja shkon tek nënshtetasit rezidentë që jetojnë në Kosovë.

“Për këtë arsye, MFPT ka pezulluar përkohësisht pagesat për një numër të kufizuar të përfituesve, duke kërkuar dokumentacion shtesë me qëllimin e vetëm verifikimin e vendbanimit të tyre”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Financave, transmeton Telegrafi.

Ministria e Financave thotë se “përzgjedhja e këtyre familjeve është bërë në mënyrë të paanshme dhe nuk është ndikuar në asnjë formë nga përkatësia etnike e përfituesve. Skema e shtesave për fëmijë që nga fillimi ka karakter gjithëpërfshirës dhe përfitues të saj janë mbi 400,000 fëmijë bazuar në kriteret themelore: moshën e fëmijëve dhe të qenit shtetas rezident i Kosovës”.

“Në deklaratën e Avokatit të Popullit të publikuar sot, i atribuohet kuptim negativ edhe kërkesës për regjistrim në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, kur në fakt kjo u mundëson një alternativë shtesë qytetarëve që nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë, që përmes ASK-së të konfirmojnë rezidencën dhe të rifitojnë të drejtën për përfitim nga shtesat për fëmijë”.

Sipas Ministrisë së Financave, regjistrimi në ASK është një obligim ligjor për çdo qytetar rezident në Kosovë dhe nuk mund të konsiderohet diskriminues, aq më tepër nga një institucion tjetër shtetëror. Regjistrimi në ASK përveç se obligim ligjor, mundëson planifikimin më të mirë të politikave për të gjithë qytetarët pa dallim nacionalitetin e tyre.

“Deklaratat e pavërteta për diskriminim mbi baza etnike të bëra sot në komunikatën e Avokatit të Popullit, pa u mbështetur në të dhëna empirike e pa as të vetmin argument, përveç se shkaktojnë paqartësi tek qytetarët, ato dëmtojnë rëndë edhe reputacionin e vendit tonë si vend që respekton të drejtat e barabarta për të gjithë”.

Ministria e Financave thotë se mbetet e përkushtuar të bashkëpunojë me institucionet relevante dhe të gjithë qytetarët, për të siguruar që shtetasit rezidentë vazhdojnë të përfitojnë nga skema universale e shtesave për fëmijë.

Ndryshe, Avokati i Popullit ka publikuar një letër rekomandimi drejtuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), pas përfundimit të hetimeve të nisura sipas detyrës zyrtare.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se hetimet u iniciuan pas pranimit të një numri të madh ankesash, kryesisht nga komuniteti serb, në lidhje me pezullimin e pagesës së shtesës për fëmijë. /Telegrafi/