Please enter at least 3 characters.

Milanoviq: Vuçiq po e frikëson popullin e vet me pretendime për një aleancë shqiptaro-kroate kundër Serbisë

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka deklaruar se “do të ishte komike nëse nuk do të ishte shqetësuese” fakti që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vazhdimisht po e frikëson popullin e tij duke pretenduar se Kroacia po krijon një aleancë ushtarake kundër Serbisë.

“Presidenti i shtetit fqinj nuk heq dorë nga frikësimi i qytetarëve të tij me perspektivën e një sulmi të Kroacisë dhe shqiptarëve ndaj Serbisë. Kjo do të ishte komike, po të mos ishte në të vërtetë e papërgjegjshme dhe shqetësuese”, tha Milanoviq në një akademi solemne me rastin e Ditës së Forcave të Armatosura të Kroacisë.

Ai shtoi se, duke qenë se këto deklarata vijnë nga kreu i shtetit, njerëzit pyesin nëse ato janë të vërteta, shkruan index.hr.

“E di që është e vështirë të shpjegohet dhe të justifikohet vazhdimisht, por e bëj për njerëzit tanë, dhe pjesërisht edhe për serbët, që të kuptojnë se për çfarë lloj sjelljeje joserioze bëhet fjalë”, tha presidenti kroat.

Ndryshe, ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, vitin e kaluar ka nënshkruar me homologët nga Shqipëria dhe Kosova deklaratën e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Pas kësaj, Vuçiq filloi të akuzojë Zagrebin se po krijon një aleancë ushtarake me Tiranën dhe Prishtinën kundër Beogradit. /Telegrafi/