Please enter at least 3 characters.

Mickoski: Qëllimi ynë është ta bëjmë Maqedoninë vend të mundësive ku mundi paguhet, ndërsa investimi ka kuptim

"Investimi i ri i kompanisë turke “Çagataj Kabllo’ është edhe një themel i besimit ekonomik dhe sinjal i qartë se kur institucionet janë të përkushtuara, suksesi vjen pashmangshëm. Dita e sotme është edhe një konfirmim se po lëvizim para", deklaroi kryeministri Hristian Mickoski sot në vendosjen e gurthemelit të fabrikës së re të kësaj kompanie në Zonën Zhvillimore Teknologjike Industriale në Shkup.

“Këta janë tregues që thonë gjënë më të rëndësishme se vendi është i qëndrueshëm, ekonomia aktive dhe se e ardhmja po ndërtohet sot. Jam i vetëdijshëm se qytetarët po përballen me vështirësi, jam i vetëdijshëm se nevojiten ndryshime të shpejta dhe konkrete dhe pikërisht për këtë arsye çdo ditë me gjithë energjinë që kemi, punojmë që këto ndryshime të ndodhin. Luftojmë për çdo vend të ri pune, për çdo denar më shumë në ekonominë e vendit, për çdo shans që mund të sjellë stabilitet në vend. Nuk presim investime, i kërkojmë, i mbështesim, i meritojmë. Nuk flasim për mundësi, por i hapim ato. Bëjmë thirrje për ndryshime dhe i realizojmë këto ndryshime”, theksoi Mickoski në fjalimin e tij.

Ai shtoi se ky është vetëm një nga shembujt e shumtë si krijohet rritje ekonomike jo me teori, por me objekte konkrete dhe se një fillim i tillë është i mirë jo vetëm për kompaninë, por edhe për bashkësinë lokale, ekonominë kombëtare dhe për çdo njeri të ri i cili dëshiron të mbetet në shtetin e vet.

“Qëllimi ynë është që ta bëjmë Maqedoninë vend të mundësive, vend në të cilin mundi paguhet, vend në të cilin investimi ka kuptim, vend në të cilin institucionet janë partnerë të biznesit, jo pengesë, por mbështetje”, nënvizoi Mickoski.

Theksoi se rezultatet e arritura tregojnë se Qeveria ka drejtim të qartë ekonomik.