Menaxhmenti i RTK-së reagon pas largimit të 6 gazetarëve nga ekrani: Nuk ka ndëshkim, por riorganizim programor
Menaxhmenti i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në këtë medium, ku 6 gazetarë ditë më parë u larguan nga ekrani dhe emisionet që ata drejtonin vetëm për shkak se të njëjtit kishin ngritur zërin rreth vonesës së pagave.
Menxhamenti i RTK-së përmes një njoftimi ka sqaruar se mediumi është duke kaluar në një fazë avancimi programor dhe organizativ.
“RTK po kalon një fazë avancimi programor dhe organizativ, me qëllim rritjen e cilësisë së përmbajtjes në të gjitha kanalet dhe platformat, me fokus të veçantë në forcimin e kanalit informativ RTK3. Në këtë kuadër janë ndërmarrë disa riorganizime të stafit, të cilat janë vendime të natyrës menaxheriale dhe nuk kanë karakter ndëshkues apo disiplinor”, thuhet në njoftim.
Tutje është theksuar se kontratat e punës së redaktorëve mbeten të paprekura.
“Detyrat e tyre lidhen me redaktim dhe mbikëqyrje editoriale, jo me moderim, ndaj lirimi i tyre nga ky rol është në përputhje me kontratat dhe rregulloret e brendshme. Pretendimet për “censurë” apo “heshtje të zërit profesional” nuk qëndrojnë. Redaktorët vazhdojnë të kenë liri dhe të drejtë të plotë editoriale, të cilën e demonstrojnë përmes paraqitjeve publike në programet e RTK-së, si asnjëherë më parë”, thuhet tutje në sqarimin e Menaxhmentit të RTK-së.
Më tej është theksuar se RTK aktualisht po funksionon në rrethana jo të zakonshme dhe se kjo gjendje nuk do ta pengojë institucionin në avancimin e ofertës programore dhe përmirësimin e proceseve të punës.
“Në asnjë rast kjo situatë nuk mund të shfrytëzohet nga punonjësit e RTK-së për të bërë prononcime në rrjete sociale me përmbajtje politike, ofenduese, apo të papajtueshme me etikën dhe standardet profesionale. Po ashtu, çdo deklarim i pabazuar në fakte, që përhap dezinformata duke dëmtuar integritetin e institucionit, nuk do të tolerohet tutje dhe të gjitha këto veprime do të trajtohen në përputhje me ligjin dhe rregulloret e RTK-së në fuqi”, theksohet në sqarim.
Menaxhmenti ka shtuar se si transmetues publik, RTK është e përkushtuar ndaj transparencës, respektimit të ligjit dhe kontratave, pavarësisë editoriale dhe objektivitetit, me theks ofrimin e përmbajtjes cilësore për qytetarët e Kosovës.
Sipas tyre, RTK thekson se respekton lirinë e shprehjes dhe të drejtën e gazetarëve për të punuar pa ndërhyrje, ndërsa çdo shqetësim i ngritur nga redaktorët, apo publiku do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale.
“Menaxhmenti i RTK-së mbetet i vendosur dhe i palëkundur në avancimin e ofertës programore, duke e zhvilluar atë mbi bazën e parimeve universale të transmetuesve publik: paanshmërisë, objektivitetit, neutralitetit dhe depolitizimit të plotë. Çdo vendim dhe hap i ndërmarrë do të ketë për qëllim forcimin e rolit të RTK-së si institucion i pavarur, i besueshëm dhe i depolitizuar, në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Ky angazhim është një obligim profesional dhe moral ndaj publikut, një standard i panegociueshëm për secilin punonjës të RTK-së, dhe një garanci për demokracinë dhe shoqërinë tonë”, thuhet në sqarim. /Telegrafi/


