Me paruke si Haaland, Channing Tatum surprizon tifozët në ndeshjen e Kupës së Botës
Channing Tatum ka tërhequr vëmendjen e tifozëve të futbollit, pasi u shfaq në tribunat e ndeshjes së Kupës së Botës mes Norvegjisë dhe Francës me një pamje që i ngjante yllit norvegjez Erling Haaland.
Aktori amerikan mbante një paruke të gjatë bionde dhe fanellën e Norvegjisë, duke u përzier mes tifozëve dhe duke bërë që shumë prej tyre ta ngatërronin me sulmuesin e njohur.
Paraqitja e tij nuk ishte rastësi. Së fundmi, Tatum luajti rolin e "sozisë" së Haaland në një film të shkurtër promocional të Nike, të realizuar përpara Kupës së Botës, shkruan DailyMail.
Në fushatë, aktori shfaqet si dublanti i futbollistit, duke sjellë momente plot humor.
Filmi promovues bashkon emra të njohur të sportit dhe showbiz-it, mes tyre Travis Scott, Kim Kardashian, LISA dhe Young Miko.
Historia zhvillohet në një set xhirimi ku futbollistët refuzojnë të ndjekin skenarin dhe zgjedhin të luajnë sipas instinktit, duke krijuar kaos dhe spektakël.
Megjithëse Tatum e mbështeti Norvegjinë nga tribunat, skuadra u mposht me rezultatin 4-1 nga Franca. Ousmane Dembele realizoi një tregolësh në pjesën e parë, ndërsa Désiré Doué vulosi fitoren.
Pavarësisht humbjes, Norvegjia siguroi kualifikimin në fazën tjetër të turneut, duke përfunduar e dyta në grup. /Telegrafi/


