Më 20 mars promovohet partia e Rufi Osmanit
Burime të portalit Zhurnal, të afërta me partinë e Osmanit, kanë thënë se në terren janë zhvilluar aktivitetet e fundit rreth formësimit dhe promovimit të këtij subjekti politik, që do t’i takojë qendrës së djathtë.
Promovimi i kësaj parti do të bëhet në Shkup, ku edhe do të jetë selia qendrore e partisë
Janë zgjedhur edhe drejtuesit e këshillave iniciuese nëpër degë, ndërsa në to bëjnë pjesë persona që deri më tani kanë qenë të përshirë të partitë ekzistuese shqiptare, por dominojnë të rinjtë dhe profesorë universitarë.
Ditë më parë, gjatë një interviste për Alsat-M, Osmani ka thënë se pret që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të fitojë mbi 20 deputetë.
“Unë nga natyra jam njeri që e pranoj riskun, e pranoj rrezikun, në përgjithësi këtë e kam dëshmuar me karrierën time 20 vjeçare, me këtë rast edhe në këtë rast do të rrezikoj, unë do të dal vetë me partinë time në zgjedhje, unë dëshiroj të di se cili është kandari politik i Rufi Osmanit dhe i partisë që unë dhe përkrahësit e mi do ta bëjmë në raport me të tjerët, sepse problemi bazë është kush sa ka peshë dhe autoritet politik. Sot të gjithë të tjerët do të thonë, ti tash bën parti të re, mund të të ofrojnë një ose dy mandate deputeti, ndërsa unë pretendoj t’i marr më shumë se 20 mandate”, ka thënë Osmani.
Ai ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi parazgjedhor me PDSH-në dhe BDI-në, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë e afrimit me Demokracinë e Re, madje edhe paraqitje të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme. /Telegrafi/


