Më 1 shtator mësimdhënësit e Kosovës do të jenë të licencuar
Që nga data 1 shtator mësimdhënësit përfundimisht do ta kenë një licencë të përkohshme për afatin e së cilës do të vendoset me Udhëzim Administrativ me të cilin gjithashtu do të saktësohen shumë aspekte të kësaj natyre. Kjo është bërë e ditur në takimin me inspektorët e arsimit të cilin drejtoi Defrim Gashi, drejtor i Departamentit të Inspektimit në MASHT.
Ky proces fillon nga data 1 korrik 2008 deri më 25 gusht kur do të përfundojë faza e parë e licencimit. Nga data 19 korrik inspektorët do të verifikojnë të dhënat e nevojshme. Së pari do të shikohen dokumentacionet ekzistuese në Ministrinë e Shërbimeve Publike (MSHP) në bazë të të cilave deri me tani janë marrë pagat, si dhe dokumentacionet përkatëse në institucionet shkollore.
Procesit të verifikimit do t'i nënshtrohen edhe drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e shkollave. Këshilli për licencim i MASHT do të bëjë licencimin e mësimdhënësve në bazë të të dhënave të verifikuara në terren, proces ky që duhet të përfundojë deri më 25 gusht 2008.
Nga data 1 shtator mësimdhënësit përfundimisht do ta kenë një licencë të përkohshme për afatin e të cilës do të vendoset me Udhëzim Administrativ me të cilin gjithashtu do të saktësohen shumë aspekte të kësaj natyre. Procesi i licencimit është paraparë edhe në Strategjinë për zhvillimin e Arsimit Parauniversitar "SAPU 2007 20017". /QIK/


