Please enter at least 3 characters.

Mbappe dhe Vini Jr dhurojnë spektakël, Reali i pamëshirshëm për Monacon

Real Madridi është rikthyer te fitorja në Ligën e Kampionëve, teksa ka mposhtur Monacon me rezultat të thellë 6-1.

Ka qenë një ndeshje ku kanë shkëlqyer dy yjet më të mëdha të Realit, Kylian Mbappe dhe Vinicius Junior.

Vetëm pas pesë minutash lojë, Kylian Mbappe realizoi për 1-0 pas asistimit nga Fede Valverde. 21 minuta më vonë, francezi shënoi golin e dytë personal, ku kësaj radhe u asistua nga Vini Jr.

45 minutat e para të kësaj ndeshje u mbyllën me epërsinë e dyfishtë të Realit 2-0.

Reali e nisi furishëm pjesën e dytë, ku Vini Jr asistoi fillimisht te Franco Mastantuono që shënoi për 3-0, derisa braziliani ishte asistues edhe te autogoli i Kehrer për 4-0.

Në minutën e 63-të, Vini Jr shënoi golin e parë personal në këtë takim për 5-0, derisa Monaco realizoi golin e nderit me Tezen në minutën e 72-të.

Për rezultatin përfundimtar u përkujdes Jude Bellingham që shënoi për 6-1 pas asistimit nga Valverde.

Me këtë fitore Reali ngjitet në pozitën e dytë në tabelë me 15 pikë, derisa ndeshjen e radhës e luan në udhëtim te Benfica. /Telegrafi/