Please enter at least 3 characters.

Mashtronte qytetarët duke u premtuar banesa sociale për 800 euro, arrestohet i dyshuari në Pejë

Një person është arrestuar në Pejë nën dyshimin për veprën penale “Mashtrim”, pasi dyshohet se ka falsifikuar dokumente zyrtare dhe ka mashtruar qytetarë duke u premtuar banesa sociale.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 27 prill 2026 në Stacionin Policor në Pejë nga një ankues, i cili ka bërë të ditur se i dyshuari kishte përdorur emblema, nënshkrime dhe vula të komunës së Pejës të falsifikuara.

“Duke kontaktuar qytetarë të komunës së Pejës, ai u kishte premtuar banesa që do të ndaheshin për raste sociale nga komuna e Pejës, duke kërkuar shumën prej 800 eurosh me pretendimin e fillimit të procedurave për marrjen e banesës”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se hetuesit kanë ndërmarrë veprime intensive për zbardhjen e rastit dhe më 29 prill 2026 kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin.

Pas intervistimit nga hetuesit, me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm ndaj rasteve të ngjashme dhe të raportojnë çdo dyshim për mashtrim apo keqpërdorim të dokumenteve zyrtare. /Telegrafi/