Lumbardh Dellova me tri oferta, kërkohet në Turqi, SHBA dhe Rusi
Dy klube thuhet se i kanë dërguar oferta CSKA Sofjes për mbrojtësin e Kosovës, Lumbardh Dellova, me lojtarin që duket se kërkon largimi nga kampionati bullgar.
Sipas mediave bullgare, njëra ofertë vjen nga MLS (SHBA), ndërsa tjetra nga Turqia. Realisht opsionet nga Turqia janë Rizespori që luan në elitë dhe Amedspor, skuadër që aktualisht renditet e treta dhe ka gjasa të ngjitet në Superligën turke.
Po ashtu, raportohet edhe për interesim nga një klub rus, por Dellova posedon vetëm pasaportë të Kosovës, që e vështirëson kalimin e tij atje.
Dellova, aktualisht 27 vjeç, ka kontratë me CSKA-në deri më 30 qershor 2027, ndërsa marrëveshja përfshin një klauzolë lirimi prej 900 mijë eurosh.
Në dimër, klubi saudit Al Najma kishte qenë i gatshëm të paguante shumën e klauzolës dhe i kishte ofruar qendërmbrojtësit një pagë shumë të lartë.
Megjithatë, Dellova e refuzoi ofertën, pavarësisht se në atë periudhë kishte pasur edhe tensione me klubin, deri në atë pikë sa raportohej se kishte refuzuar të stërvitej me CSKA-në. Më pas, ai qëndroi te skuadra nga Sofja.
Rreth dy muaj më parë, sipas raportimeve, kanë nisur bisedimet për një kontratë të re me CSKA-në, ku klauzola e lirimit nuk do të përfshihej dhe Dellova do të përfitonte pagë më të lartë. Deri tani, nuk ka marrëveshje.
Sidoqoftë, mediumi “7 dni sport” thekson se për më shumë se një vit menaxherët e Dellovës kanë ushtruar presion ndaj drejtuesve të klubit me “oferta” nga skuadra të tjera. /Telegrafi/


